






Foto arkivi LSA
Kohët e fundit keni dëgjuar e parë shpesh reklama të tipit, një fluturim që kushtin sa një drekë a një darkë. Dhe keni menduar se këto janë çmimet më të lira të mundshme.
Por gaboheni rëndë. Sepse në Europë, qytetarët e saj po fluturojnë nga njëri aeroport në tjetrin, nga njëri shtet në tjetrin, vajtje dhe kthim, për vetëm 3.8 euro ose afro 500 lekë, ose më pak se sa ç’kushton një kafe me një ujë në kafenetë e shtrenjta të aeroportit të Rinasit.
Disa mendojnë se në muaj piku si gushti apo fundviti, zor se gjen bileta të lira.
Por sërish gaboheni. Ky fenomen është më së shumti produkt tipik shqiptar i kompanive të etura për të fituar sa më shumë para dhe për ta rrjepur sa më shumë çdo shqiptar që guxon të fluturojë.
Corriere Della Sera raporton se pikërisht në këtë muaj piku, në gusht, mund të gjesh pa frikë bileta fluturimesh për udhëtime mes kryeqyteteve të Bashkimit Europian me 3.8 euro vajte/ardhje, përfshirë dhe taksat.
E të tilla çmime që janë ëndrra të pamundura për shqiptarët që duan të udhëtojnë nga Rinasi, i vetmi aeroport i vendit, i lënë vendin realitetit tonë të hidhur.
NOA bëri një vëzhgim të thjeshtë se sa kushton gjatë muajit gusht të blesh bileta nga Tirana, për një kryeqytet evropian. Dhe meqenëse më së shumti ofrohet Milano, ne kërkuam të njihemi me tarifat që ofrojnë kompanitë që mundësojnë fluturime vajtje ardhje për në Milano.
Çmimet janë frikshmërisht të larta. Disa qindra herë më të shtrenjta se fluturimet vajtje-ardhje në kryeqytetet e BE.
Kështu, datat 2 gusht 2016 nisje dhe 5 gusht 2016 kthimi.
Udhëtimi vajtje-ardhje me Fly Ernest kushton plot 402 euro.
Me Blu Express kushton 397 euro.
Me Alitalia kushton duke filluar nga 381 euro deri në 655 euro në varësi të orarit të fluturimit. Vetëm se të gjitha biletat e kthimit janë shitur sikundër shihet në imazhet.
Me Air Serbia kushton 598 euro vetëm se fluturimet janë të padisponueshme më 2 por më 3 gusht kurse kthimi po në 5 gusht.
Të gjitha këto fluturime, sigurisht me klasin më të lirë.
Ajo që vihet re në këto çmime nuk është vetëm vlera shumë e lartë. Po të shikoni me kujdes thuajse të gjitha mbajnë të njëjtin çmim, tamam si të jenë marrë vesh me njëri-tjetrin. Edhe kompani që “shiten” sikur janë me çmime të ulëta dhe reklamat e tyre nuk po pushojnë duke pretenduar diçka të tillë, sërish dhe ato i kanë çmimet gati të unifikuara.
Në këtë vorbull që shqiptarët siç reagojnë plot herë publikisht, po e vuajnë shumë, shteti thjesht po fle gjumë. Sigurisht, që qëllimisht. Sepse nëse një strukturë shtetërore paguhet me taksat e shqiptarëve për t’i shërbyer atyre, taksapaguesve, në këto raste nuk ndodh aspak kështu. Më së paku, “flihet gjumë” duke lënë të livadhisin, kompanitë e fluturimeve që mesa duket e shohin Shqipërinë si një pulë që pjell vezë floriri.
Nëpërmjet aeroportit të Tiranës kryejnë fluturime dhe disa kompani të tjera. Pjesa më e madhe kanë sigurisht çmime tmerrësisht të larta, kurse të tjerat janë me fluturime çarter.
Sakaq, në shtator – tetor për disa fluturime me destinacion Lindjen e Mesme biletat vajtje-ardhje, shkruan Corriere, mund të prenotohen me një çmim që shkon deri në 340 euro, përfshirë të gjitha taksat.
Me më pak shpenzim, 300 euro mund të udhëtohet vajte/ardhje në Azi.
Po deri ku mund të ulet çmimi i një bilete fluturimi?
Prisni se ka akoma. Por jo në Shqipëri. Pak më larg, në Europë: Me 160 euro mund të udhëtoni nga Milano në San Françisko të SHBA-ve, në muajt e ardhshëm, shtator dhe tetor.
Parashikimi për 2017-ën, në fluturimet ku nuk përfshihet Shqipëria
Çfarë do të ndodh në muajt në vazhdim? Çmimet, thonë analistët, do të vazhdojnë të bien deri në dhjetor. Por, më pas shoqëritë që do të duan të transportojnë më shumë pasagjerë, duke paguar më shumë do të nxjerrin në pah planet “mbrojtëse”: ulje të numrit të destinacioneve, reduktim i vendeve në dispozicion veçanërisht për pasagjerët e distancave të gjatë, për të rritur kështu çmimin e biletave.
Dilema më e madhe e administratorëve të shoqërive ajrore është se si do të reagojnë konsumatorët.
Sepse pasi kanë provuar që të udhëtojnë me 3.8 euro nga njëri kryeqytet i Europës në tjetrin do të jetë e vështirë që të kalohet në një çmim dhjetëfish më të lartë në më pak se një vit, përfundon artikulli i Corriere della Sera.
Vetëm Shqipëria me çmime të çmendura
Ndryshe nga tendenca europiane, në Shqipëri çmimet janë gjithnjë të larta dhe janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Në fillim të muajit prill 2016 Alitalia rivendosi kontrollin mbi sistemin e rezervimit.
Teknikisht kjo nënkupton që agjencitë nuk kanë më mundësi të ndërhyjnë me klasin e udhëtimeve (më parë agjencitë ndërhynin në sistem duke shitur një pjesë të madhe të biletave me klasin më të lirë). Kjo solli një rritje të menjëhershme të çmimeve, me 60-70%, dhe sot drejt Italisë, (desinacioni i gjysmës së pasagjerëve) vështirë sot se gjen biletë nën 200 euro për çfarëdolloj destinacioni nga Rinasi e më tej.
Edhe në raport me rajonin e Ballkanit, biletat për shqiptarët e Shqipërisë janë disafish më të shtrenjta.
Nga Shqipëria drejt Europës, biletat janë minimalisht 50% më të shtrenjta, edhe kur bëhet fjalë për të njëjtët operatorë, p.sh me Austrian Airlines.
Në destinacionet që në aeroportet e Shkupit e Podgoricës operohen nga kompani low cost, si Milano, Venecia, Londra, qytetet e Gjermanisë, çmimet nga Rinasi janë disafish më të shtrenjta.
Sidomos në Maqedoni, biletat janë të lira për disa arsye. Në të ka operatorë low cost si Ëizz Air; shteti subvencionon kompanitë; dhe taksat aeroportuale janë më të lira se në Shqipëri.
Nga Shkupi psh mund të gjesh bileta edhe me 9 euro për në vendet e ndryshme evropiane, përfshirë mbretëritë nordike, Danimarkë, Suedi, etj.
Kurse vajtje-ardhje sjkojnë duke nisur nga 20 deri 65 euro në Milano e Bruksel, Berlin 70 euro, apo 85 euro në Paris e Venecia)
Londra është e arritshme me 170-180 euro nga Shkupi dhe Tivari, nga Tirana mbi 400-500 euro.
Në Podgoricë veprojnë dy operatorët low cost, Ryan Air dhe Easy Jet, nga të cilët mund të gjesh alternativa të lira, sidomos për kthimin nga Londra, deri në 19 euro një drejtim.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





