Transmetuar më 14-07-2016, 17:25

Andrea Memollari, 20-vjeçari që aksidentoi për vdekje nënën e dy fëmijëve, Dhurata Priftin, ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen e rëndë.

Ai ka thënë se në momentin që ndodhi aksidenti, ishte duke folur në telefon dhe nuk e kishte parë gruan që po kalonte rrugën.

20-vjeçari shtoi se ishte trembur kur kishte kuptuar se po ecte mbi trupin e të aksidentuarës dhe ishte larguar nga paniku.

Aksidenti që i mori jetën 37-vjeçares ndodhi dje rreth orës 11:16, në kryqëzimin në rrugën “Jordan Misja”.

Semafori në këtë zonë nuk funskiononte pej tri javësh dhe kalimtarët e automjetet kalonin sipas vullnetit të tyre.

Semafori u rregullua vetëm pasi aksidenti fatal i mori jetën nënës së dy djemve.

Gjithçka u filmua nga kamerat e sigurisë së një biznesi në atë zonë dhe është parë se 37-vjeçarja po kalonte rrugën së bashku me fëmijët e saj, kur ka parë makinën që është afruar, ajo ka shtyrë fëmijët për t’i shpëtuar dhe në atë moment ëshët përplasur vetë nga mjeti tip “Benz” ngjyrë gri me targa CDI 220.

Makina drejtohej nga Andrea Memollari, 20 vjeç, i cili pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është kapur dy orë më pas.

Pas llogaritjeve të autoriteteve, rezulton se ai po udhëtonte me shpejtësi 80 km në orë, ndërkohë që në atë zonë, shpejtësia e lejuar është më pak se 40 km.

Mbi të rëndojnë akuzat “shkelje e rregullave të qarkullimit” dhe “largim nga vendi i aksidentit”, për të cilat rrezikon pesë deri në dhjetë vite burg./b.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd