




Tiranë, 7 korrik 2016, NOA.al- Bashkia e Tiranës nis konsultimet publike për Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës, “Tirana030”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal sot në Kombinat, ku bashkë me hartuesit e draftit të parë të planit diskutuan mundësitë e zhvillimit të kryeqytetit.
Veliaj tha se ky tur dëgjesash nisi nga Kombinati për faktin se kjo zonë, duke përfshirë edhe Misto Mamen dhe Yzberishtin, do të jetë zona e cila në vizionin e Planit të Përgjithshëm Vendor do të pësojë transformimin më të madh, për t’u kthyer në një nga polet më interesante të zhvillimit të Tiranës policentrike.
Ai deklaroi se Kombinati parashikohet të jetë njëri nga 7 polet që do të ketë Tirana e vitit 2030.
“Kemi vizionin që këto pole t’i zhvillojmë sikur të ishin qytete më vete. Që ato të ekzistojnë si qytete më vete duhet që të kenë infrastrukturën e nevojshme, po ashtu edhe infrastrukturë shëndetësore e arsimore, apo sistemin bankar dhe industritë e shërbimeve”, u shpreh Veliaj.
Lidhur me ndërhyrjet konkrete të draft-planit për Kombinatin, kryebashkiaku i Tiranës tha se parashikon që zona periferike të shndërrohet në polin e dytë industrial të qytetit, pas zonës së autostradës.
“Propozimi i parë është që t’i japim zonës së Kombinatit trajtën e një qyteti brenda qytetit, çka do të thotë se do të investojmë më shumë në infrastrukturë, që punëson njerëz. Kjo është arsyeja pse duam që segmenti Kombinat-Vaqarr të shpallet zonë e re industriale. Kemi filluar të inkurajojmë disa kompani, 2-3 kompani gjermane tashmë janë transferuar në këtë segment, që të vendosen në këtë zonë të Tiranës”, tha Veliaj.
Ai shtoi se është menduar që kompani të ndryshme të nxiten me mënyra të ndryshme që zgjedhin këtë zonë për të transferuar biznesin e tyre.
“Jemi shumë të gatshëm të negociojmë një sistem taksash më favorizues, nëse bizneset do të pranojnë të dalin nga qendra e Tiranës dhe të vijnë këtu, ku taksat janë më të ulëta; pra, të inkurajohen financiarisht. Na ndihmon edhe ne për të rritur punësimin e zonës dhe për t’u siguruar që, në shkëmbim të një politike favorizuese në sistemin e taksave, kompanitë të pranojnë të zhvendosen nga Tirana e tejngarkuar”, deklaroi ai.
Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se një risi tjetër e këtij plani, e cila që prek në mënyrë direkte zonën e Kombinatit, është edhe zhvillimit të parkut të Liqenit të Vaqarrit.
Ai bëri me dije se ka nisur projekti i parkut të Vaqarrit, duke nënvizuar se shumë shpejt do të bëhet prezantimi i projektit për këtë park.
Veliaj vlerësoi se së bashku me hartuesit e vizionit për Tiranën, për të ndryshuar situatën e pastërtisë së ajrit dhe mjedisit, është menduar “rrethimi” i Tiranës me një pyll prej 2 milionë pemësh, të cilin kryebashkiaku e cilësoi si Pylli Orbital.
“Një pjesë e madhe e pyllit orbital do të rrethojë plotësisht zonën e Kombinatit dhe do të ndahet në disa breza. Kombinati, si zonë periferike, është përfituesja kryesore e gjithë segmentit të pyllit orbital që do të rrethoje Tiranën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku bëri të ditur se për të stimuluar lëvizjen ekologjike të qytetarëve janë menduar të krijohen segmente rrugore, por edhe hapësira në zona të ndryshme të kryeqytetit, që do t’i kushtohen tërësisht biçikletave apo këmbësorëve.
Ai u ndal edhe në punën e zhvilluar në këto 11 muaj nga Bashkia e Tiranës, ku theksoi se Kombinati ka qenë një nga përfituesit kryesor të saj.
Veliaj informoi banorët e Kombinatit për vendimin e fundit të Këshillit Bashkiak, i cili i hapi rrugën procesit të ngritjes së Asambleve dhe zgjedhjes së administratorëve të pallateve.
“Asambleja e banorëve do të zgjedhë kryesinë e pallatit, kryesia zgjedh një administrator dhe administratori i pallatit do të ketë një komunikim direkt me administratorin e njësisë, i cili lidhet me bashkinë qendrore për të zgjidhur problematikat e një niveli ku duhet ndërhyrja e bashkisë”, tha ndër të tjera kryebashkiaku i Tiranës./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





