Transmetuar më 01-07-2016, 14:26

Tiranë, 1 korrik 2016, NOA.al- Kryeministria i kundërpërgjigjet kreut të opozitës Lulzim Basha, lidhur me deklaratën e bërë prej tij për një foto të vitit 2012 mes kreut të qeverisë dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe pretendimeve se është paguar 80 mijë dollarë.

Drejtoria e komunikimit në Kryeministri shpreh keqardhje për atë që e cilëson manipulim mediatik dhe propagandën e baltës lidhur me një foto të vitit 2012 me Presidentin Obama.

Kryeministri Edi Rama, sqaron se ai as nuk ka marre pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdo lloji të shtetasve të huaj në fushate në Shtetet e Bashkuara.

Kreu i qeverisë sqaron se Bilal Shehu i cili po gjykohet në SHBA për çështjen në fjalë është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012.

Por Kryeministria mohon në mënyrë kategorike që të ketë ndonjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama.

Kryeministri i bën thirrje Lulzim Bashës të fokusohet tek reforma në drejtësi dhe respektin e tij për drejtësinë në Shtetet e Bashkuara, ta tregojë duke mbështetur projektin kushtetues të reformës në drejtësi që është hartuar me kontributin e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Në vijim thuhet se Edi Rama nuk ka frikë nga drejtësia, nuk ka frike nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit të drejtësisë, nuk ka frike nga pavarësia e anëtarëve që do të bëjnë vetingun e gjykatësve e prokuroreve, por thotë se se Lulzim Basha me Sali Berishën pse i tremben faktit që ata që do të gjykojnë prokurorët dhe gjykatësit, do të përzgjidhen nga SHBA e BE?!

“Është koha e së vërtetës për krimet, akuzat, gënjeshtrat dhe të vërtetën mund ta thotë vetëm një drejtësi e çliruar nga kthetrat e vendeve të rezervuara të partive në sistem. Edi Rama dhe shumica janë gati të heqin duart e partive nga sistemi, po Lulzimi, Saliu dhe Partia Demokratike pse nuk janë gati?!”, deklarohet në mbyllje të qëndrimit të Kryeministrisë.

Më herët kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se pagoi 80 mijë dollarë për një fotografi me Presidentin amerikan Barack Obama.

Basha tha sot se kjo gjë ka ndodhur në vitin 2012, kur Edi Rama ishte në opozitë, duke thënë se ai qëndron pas një krimi të rëndë federal të kryer në SHBA, si dorovitës i 80 mijë dollarëve të dhëna në një mbledhje fondesh për betejën presidenciale për të dalë me presidentin amerikan në foto.

Sipas kreut të PD, Departamenti Amerikan i Shtetit, bën të ditur se një shtetas shqiptar kishte marrë këtë shumë.

“80 mijë dollarë ka paguar Edi Rama për një foto, për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve.

Në rrugën e tij të marrjes së pushtetit, ai përdor çdo mjet, nuk kurseu askënd me gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij e madje as SHBA-në. Ky krim federal i porositur dhe i paguar nga Edi Rama tregon sesi e nisi rrugën drejt pushtetit, e veshi pushtetin me krim, e mbushi parlamentin me vrasës, trafikantë droge dhe prostitucioni”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se Rama i nxori kriminelët nga çdo vrimë ku ishin fshehur dhe i bëri kryebashkiakë dhe se nuk u mjaftua me një mendësi kriminale, por ai guxoi të shkelë ligjet e SHBA-së dhe të mashtrojë SHBA-në.

Sipas Bashës, fotografia me Obamën tregon shumë për mendësinë e Edi Ramës që me paratë e pista bleu gjithçka. /a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd