Transmetuar më 01-07-2016, 11:59

Tiranë, 1 korrik 2016, NOA.al- Vihet në punë depoja dhe rrjeti i ri i ujësjellësit në Yzberisht në kryeqytet, prej së cilës do furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm banorët e kësaj zone, të Unazës së Re dhe fushës “Misto Mame”.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet e Ujësjellës Kanalizimeve, duke thënë se depoja e re e ujit në Yzberisht katërfishon prurjen e ujit në këtë zonë dhe i jep fund problemit të mbartur prej vitesh ku përfitojnë 30 mijë banorë.

Ai falenderoi qytetarët, të cilët kanë paguar rregullisht faturat e ujit, duke bërë të mundur një gjendje më të mirë financiare të UKT-së, çka sjell edhe më shumë investime në rrjetin e ujësjellësit.

Veliaj bëri me dije se në 11 muajt e fundit është bërë më shumë në ujësjellës se sa ishte bërë në katër vite të marra bashkë, duke nënvizuar se ky është vetëm një nga investimet që po bëhen në këtë zonë.

“Do të vijojmë me investime në këtë zonë dhe sipas planit të ri urbanistik do të shtojmë linjat e autobusëve, që komunikimi me Tiranën të jetë më i zhdërvjellët. Gjithashtu, do të vazhdojmë me projektin tonë të shkollave, kopshteve e çerdheve. Ato që banojnë këtu janë kryesisht familje të reja, e si të tilla kanë fëmijë të vegjël që kanë nevojë për çerdhe, kopshte e gjithë infrastrukturën sociale”, u shpreh Veliaj./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd