Transmetuar më 01-07-2016, 08:14

Grabitja spektakolare e ditës së djeshme në pistën e aeroportit të Rinasit shokoi shumë njerëz, për shkak se pas sulmeve në aeroportin e Stambollit, edhe i vetmi aeroport i yni, siç konfirmoi policia, u përfshi nga masa të rrepta sigurie.

Por tre persona të maskuar dhe të armatosur, arritën të afrohen pranë një furgoni që transportonte thasët me para të një banke të nivelit të dytë në vendin tonë dhe duke kërcënuar shoferin dhe rojet e sigurisë, mundën të marrin dy thasë me para.

Paraprakisht flitet për një dëm prej mbi 3 milionë euro.

Transporti i parave bëhej nga kompania e sigurimit fizik “Nazeri 2000”, ndërsa milionat e eurove, ishin planifikuar të transportoheshin drejt një vendi të BE.

Policia e Shtetit tha zyrtarisht pas ngjarjes se u grabit një sasi monetare e një banke, që po transferohej me mjetet e një kompanie private sigurimi, nga terminali drejt avionit.

Dinamika e ngjarjes

Ka qenë ora 14:45 minuta, kur automjeti tip Benz me tre persona ka hyrë nga kjo derë për të kryer një ndër grabitjet më spektakolare të ndodhura në Shqipëri ndër vite. Autorët, të armatosur rëndë me kallashnikov dhe me një makinë të vjedhur në Pogradec, pasi hapën derën u futën me automjet në pistën e avionëve, duke thyer rregullat e sigurisë.

Sipas burimeve policore, ata kanë pasur informacione të detajuar për lëvizjen e parave dhe shumës që po transportohej.

Momenti i futjes në pistë ka qenë i llogaritur me sekonda. Ata i ka prerë rrugën mjetit më të cilin lëviznin paratë, disa metra para se të shkonte tek avioni. Në kërcënimin e armëve, ata e kanë patur të lehtë të marrin paratë dhe të largohen nga aty, pa i dhënë mundësi të reagojë siguria e aeroportit.

Policia tha se autorët hynë në rrethimin e brendshëm të aeroportit, pasi prenë menteshat e portës së jashtme që ndodhet nga krahu i rrugës Rinas-Fushë Krujë.

Rrethimi i jashtëm sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që menaxhon aeroportin. Dyshime të shumta bien mbi punonjësit e kompanisë së sigurisë fizike, për bashkëpunim, të cilët janë vënë nën hetim.

Pasi kanë marrë sasinë e valutës, autorët janë larguar me shpejtësi. Edhe ajo çfarë ndodhi pas grabitjes, ka qenë e llogaritur me detaje. Makina është djegur në një vend ku askush nuk e ka parë. Policia ka dyshime se në këtë vend, autorët t’i ketë pritur një makinë tjetër, e cila ka bërë transportin e tyre dhe të parave.

Pas ngjarjes dyshohet se autorët janë larguar në drejtim të Fushë Krujës, ndërsa makina e përdorur për grabitjen u gjet e djegur në Fushë- Prezë, por nga autorët e grabitjes nuk u gjetën gjurmë.

Dyshohet se autorët kanë hyrë në Nikël, ku nga atje nuk dihet vendndodhja e tyre.

Nga pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë, shihet se një makinë tip Benz me ngjyrë të zezë, ka hyrë nga një portë e posaçme e aeroportit e cila përdoret nga kompania për transportin e karburantit dhe furnizimin e avionëve.

Nga filmimet, tregohet se kjo portë ka akses të drejtpërdrejtë me vendin ku ndalojnë aeroplanët për të marrë dhe zbritur pasagjerët si dhe për furnizim me karburant.

Por ajo që habit është fakti se si ka mundur që makina të hyjë deri në pistë, në një kohë që zona ruhet me roje të kompanisë së shërbimit e ruajtjes dhe sigurisë fizike. /a.y/noa.al/

VIDEO:

VIDEO:
VIDEO: 
VIDEO: 

E paprecedentë, lekët e bankës grabiten lirshëm në mes të aeroportit

Tre persona të armatosur, grabitje masive parash në Aeroportin e Rinasit 

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd