Transmetuar më 20-06-2016, 21:38

Pamje rrënqethëse dhe irrituese për këdo që i shikon, janë ato që u publikuan mbrëmjen e sotme në televizion, teksa pronarja e një kopshti privat, deri dje drejtuese e një emisioni investigativ, rreh egërsisht një vogëlush vetëm tre vjeç që prindërit e kishin çuar që ajo të kujdesej për pjesën më të madhe të ditës.

VIDEO:

Incidenti i rëndë ka ndodhur në kopshtin privat Diren, në Sauk, Tiranë, ku fëmija është rrahur nga administratorja Anjeza Shabani, pronare e këtij kopshti privat,

Video shokuese që e gjeni më poshtë, është publikuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Stop” në Tv Klan.

Në pamjet dallohet sesi Anjeza Shabani, ish moderatorja e “Alarm” në tv Ora Neës, aktualisht administratorja e kopshtit privat “Diren”, dhunon në mënyrë të frikshme, fizikisht dhe psikologjikisht një fëmijë 3-vjeçar.

Ka qenë vetë i ati i vogëlushit që ka denoncuar rastin, pasi ka vënë re shenja dhune në trupin e të birit. Ai është drejtuar pranë redaksisë së emisionit, i cili ka kryer investigimin duke arritur të vendosë një kamerë të fshehtë në mjediset e brendshme të kopshtit. Me t’u vendosur kamera, u kryen dhe filmimet që evidentuan se fëmija dhunohej rregullisht, ashtu siç denoncoi i ati.

Moment tjetër i tmerrshëm, fëmija detyrohet të pozojë pas dhunës

Një tjetër moment i tmerrshëm në videon e publikuar është ai kur fëmija rrihet vazhdimisht në ambientet e kopshtit dhe më pas ulet te tavolina me fëmijët e tjerë.

Sërish aty rrihet nga administratorja e kopshtit, Anjeza Shabani. Sërish klithma dhe kërcënime ndaj fëmijës nga kjo femër.

E ndërkohë, stafi bën sehir, ose të paktën nuk reagon.

Pasi e ka rrahur edhe nj herë tek tavolina në sy të fëmijëve, Anjeza Shabani merr celularin dhe kërkon që fëmija të pushojë, mos qajë më dhe të pozojë para kamerës.

Sepse Shabani duhet të bëjë foto dhe t’i përzgjedhë që t’i fusë në faqen e Facebook të kopshtit “Diren”, emër që mban vajza e saj e vogël.

Një fakt po ashtu rrënqethës që të bën përshtypje: Indiferenca e stafit

Në pamjet video ka edhe një fakt tjetër që të bën përshtypje. Kur Anjeza Shabani, nënë e një vajze të vogël, merr djalin dhe e dhunon egërsisht, asnjë nga stafi nuk reagon. Ata janë aty, fare pranë, por nuk ndërhyjnë.

Kur Anjeza e sjell djalin brenda te fëmijët e tjerë pasi e ka rrahur më herët matanë, sërish askush nuk reagon.

Dhe kur Anjeza e rreh prapë fëmijën edhe në sy të vogëlushëve të tjerë, asnjë nga stafi nuk reagon, kurse shihet qartë sesi terrorizohen edhe të vegjlit e tjerë të pambrojtur.

Reagime të forta nga shikuesit, janë shumë të irrituar

Menjëherë pas publikimit të videos, ka reagime shumë të forta nga shikuesit.

Ata kanë evidentuar faktin që Anjeza Shabani, ka qenë deri para disa kohësh, bashkëmoderatore në emisionin investigativ të Ora News, “Alarm”, emision që më pas u mbyll.

Në rrjetet sociale kanë shpërthyer zemëratat për këtë femër.

Madje bëjnë thirrje që pamjet e saj të publikohen sa më shumë, me qëllim që, siç shprehen shumë prej tyre, “të mos ketë kurajë të dalë as në dritare”.Shoqërohet në policinë e Tiranës pronarja e kopshtit privat që rrihte fëmijën. Më tej arrestohet

Është shoqëruar në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës, Anjeza Shabani administratorja e kopshtit privat “Diren” në Tiranë pas shfaqjes së një videoje ku ajo duket që dhunon në mënyrë mizore një fëmijë vetëm 3 vjeç.Ndaj Anjeza Shabanit ka nisur procedim penal për dhunë ndaj të miturve dhe shpërdorim detyre.

Burime policore thonë se Shabani është shoqëruar së bashku me pesë punonjës të tjerë të kopshtit privat “Diren” që ajo drejtonte.

Pas mesnate duke hyrë e marta, u njoftua se është arrestuar administratorja e kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani. Arrestimi i saj u bë nga Drejtoria e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin kundër Krimit Ekonomik. Mbi Shabanin rëndon akuza për “keqtrajtimin e të miturve”, neni 124 pika b e Kodit Penal dhe “shpërdorim detyre”. /noa.al/

Njoftimi i policisë së Tiranës

“Arrestimi është bërë pas publikimit të videos gjatë mbrëmjes së sotme nga emisioni investigativ “Stop”, ku u shfaqën pamje të ushtrimit të dhunës ndaj një fëmije të mitur 3 vjeç në një kopsht privat në zonën e Saukut Tiranë.

Policia ka sqaruar se identifikua gruaja e shfaqur në video (edukatorja) e kopshtit, njëkohësisht administratore e këtij kopshti privat. Policia e Tiranës ka arrestuar Anjeza Husha, 33 vjeçe, banuese në Tiranë.

Dosja me materialet procedurale në ngarkim të saj u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Keqtrajtim i të miturve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Reagimet

Edison Kurani – Gazetar:

“Jam i shokuar nga pamjet e frikshme që dha Stop në Tv Klan. Ai djalë vetëm 3 vjeç që terrorizohej ashtu nga ajo femër që e rrihte pa mëshirë. E të mendosh që prindi ka paguar për atë kopësht privat ku administratorja të dërrmonte vogëlushin më dru dhe e tmerronte me të folurën e vrazhdë dhe të papranueshme. Shteti urgjent të kontrollojë çdo parashkollor publik e privat e t’i presë rrugën këtyre maskarenjve. Që nesër mos themi se ky nuk është rast i vetëm”.

Arbër Kadia – Gazetar

“I llahtarisur nga pamjet e abuzimit me fëmijët nga nje person te cilës i është besuar gjeja me e rëndësishme e prindërve… Se di si mund te ndihet nje prind kur sheh femijen te abuzuar keshtu… Duhen masa drastike ndaj ketyre rasteve…”Flet ish ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu

Çfarë duhet bërë menjëherë

Nga Majlinda Bregu

Nuk ia dilet me sharje e malkime nga një e sëmurë te një e pashpirt deri tek monstra e radhës si kjo që na ngjethi sot në STOP në TV Klan që i lëshonte duart njësoj si mbi gur mbi një fëmijë 3 vjeç.

Nuk ia dilet, e as zgjidhim gjë, se na prishet gjaku e imagjinojmë si do ta tërhiqnim zvarrë këdo që do godiste fëmijët tanë.

Ajo e qarë e atij fëmije duhet të ngjethë e të shkundë së pari Ministrinë e Arsimit për të gjetur mekanizmin e verifikimit me urgjencë të kopshteve e shkollave private të licensuara.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit duhet të bëjë menjëherë publike listën e çerdheve, kopshteve, CV e pronarëve, edukatorë, kartelat e tyre personale, certifikata mjekësore, vlerësim permanent nga grup mjekësh, psikiatër, psikolog.

Dokumentet për dhënien e heqjen e licencave sidomos kur bëhet fjalë për institucione arsimimi apo përkujdesje si dhe vlerësimi periodik duhet të jenë publike.

Nuk duhet vetëm analiza e gjakut dhe a kanë kaluar verdhëzën ata që ju besojmë fëmijët, por mbi të gjitha vlerësimi i statusit të përgjithshëm mendor dhe emocional, vlerësimi psikiatrik! Është e kotë të flasësh për standarde përformance pedagogjike, kur kërcet akoma mendja e sëmurë si mësim për qarjen e fëmijës!

Besjan Pesha – Publicist

“Pashe kete videon e emisionit STOP dhe spo marr veten nga inati. Cfare kafshe perdor ate fare dhune mbi nje femije? Jua them une, asnje kafshe. Merr kafshen me te eger dhe perpara nje femije do te zbutet, do perkedhelet. Si mund ta gjuash femijen pa pushim, ti bertasesh pa pushim e me pas me ftohtesi te besh foto per FB ku tregon paqe dhe harmoni??? Futeni brenda te ndieje te ftohtin e qelise, te ndieje vetmine sepse vetem keshtu do kuptoje se sa e shenjte eshte dashuria…Bejani kete nder, futeni ne qeli!!!”Heshtin ministritë

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe ministria për Mirëqenien Sociale dhe Rininë kanë heshtur deri tani për ngjarjen skandaloze që ka ndodhur në Tiranë.

Asnjë reagim prej tyre, asnjë postim në rrjetet e tyre sociale dhe asnjë masë e njoftuar për këtë ngjarje që ka alarmuar shumë njerëz, sidomos prindër.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd