Transmetuar më 13-06-2016, 13:05

Shkodër, 13 qershor 2016, NOA.al- Drejtori i Rajonal i Tatimeve në Shkodër, Hysen Hysaj është arrestuar ditën e sotme nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke favorizuar nipin e tij, nëpërmjet rimbursimit të TVSH me 100 milionë lekë të vjetra, në mënyrë të kundraligjshme.

Ndalimi i tij u bë në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Shkodrës, pasi rezulton se Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk.

Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H, i cili është djali i motrës së drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.

Sqarohet se në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së.

Prokuroria bën me dije se në rastin konkret, shoqëria “H…” sh.p.k nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Nga ana e administratës tatimore, rezulton se nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Po ashtu, subjekti “H…” sh.p.k nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.

Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën mbi 10 milionë lekë të reja.

Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Hysen Hysaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd