


Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA uron besimtarët myslimanë Gëzuar Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit!
Speciale në kuadrin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit/ Redaksia e NOA ju sjell këtë speciale të vlefshme për të ndihmuar shumë njerëz që dëshirojnë të kenë informacion të detajuar dhe profesional mbi Muajin e Bekuar të Ramazanit.
Tiranë, 6 Qershor 2016 NOA.al – Duke nisur nga e hëna 6 qershor 2016, nis Muaji i Madhërueshëm i Ramazanit. Për 30 ditë, myslimanët në mbarë botën agjërojnë nga agimi deri në muzg, duke kryer një adhurim ndaj Zotit.
Teologët islamë pohojnë se “nëse në jetën e kësaj bote sezonet në fusha të ndryshme janë të ndara, për shembull: në bujqësi kemi sezonin e mbjelljes pastaj atë të korrjes; në tregti kemi sezonin e investimit pastaj atë të fitimit; muaji i Ramazanit në të njëjtën kohë është edhe sezon mbjelljeje, por edhe korrjeje; është sezon investimi, por edhe fitimi, dhe e gjitha kjo ndodh në kohë reale”.
Qëkur hyn Ramazani, agjëruesi fillon e përjeton të tjera ndjesi, shoqërohet në përditshmërinë e tij nga një tjetër atmosferë, e ndryshme nga ajo e 11 muajve të tjerë. Të gjithë rendin të sigurojnë dhe të lidhin kontrata pune, bashkëpunimi apo të tjera me individë apo kompani të ndryshme, ndërsa besimtarët e sinqertë janë të përmalluar dhe të paduruar për të hedhur firmën dhe vulën e tyre në kontratën e Ramazanit, ku pala e parë është vetë Ai që e dalloi dhe e bekoi këtë muaj, e ky është Allahu i Mëshirshëm.
Kryetari i KMSH-së, Skënder Bruçaj, duke uruar Muajin e Bekuar të Ramazanit, pohon se për agjërimin e Ramazanit, Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185)
“Me agjërimin e Ramazanit shprehet më së miri besimi, sinqeriteti, humanizmi, uniteti, bujaria, virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar në jetën e tij të përditshme.
Ne këtë muaj Krijuesi i Gjithësisë hap dyert e mëshirës për të gjithë besimtarët, të cilët e kryejnë këtë adhurim me përkushtim e devotshmëri. Agjërimi mbart në vetvete sakrificën dhe përkushtimin ndaj Allahut. Qëllimi kryesor i agjërimit është fitimi i kënaqësisë së Zotit”, – thotë Bruçaj.
Ramazani njihet si muaji i Kur’anit Famëlartë, prandaj le të na shërbejë kjo periudhë e bekuar kohore për njohjen sa më të thellë të mesazhit hyjnor dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të vlerave e traditave tona të bukura islame, – shton ai.
“Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin, vëmendjen dhe dashurinë që duhet të kemi për njerëzit që na rrethojnë, në veçanti për ata që kanë nevojë për përkrahjen tonë në përmbushjen e nevojave të tyre jetike, duke u bërë në këtë mënyrë shkak që edhe në shoqërinë tonë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja”.
Bruçaj thekson se Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë. /a.b/noa.al/
SPECIALE RAMAZAN 2016/
Çfarë i ndodh trupit tonë kur ne agjërojmë?
Çfarë është agjërimi në Islam
Si duhet pirë uji dhe ushqimet që duhen shmangur gjatë agjërimit
Pse agjërimi na bën më të fortë, më të shëndetshëm, më rezistencë
Kush duhet të agjërojë dhe si, cilat janë vlerat e agjërimit
Rregullat që duhet të dini për agjërimin
12 gjëra që nuk e prishin agjërimin
Jeta brenda agjërimit – Nga Ervin Hatibi
Le të jetojmë – Nga Nuredin Nazarko
Disa aspekte të agjërimit në Islam – Nga Dr. Arqile Boti
KALENDARI
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





