Transmetuar më 01-06-2016, 20:42

Vlorë, 1 qershor 2016, NOA.al-Katër muaj pas vrasjes së 52 vjeçarit Hyqmet Nexhipi, pronarit të një anije peshkimi, policia e Vlorës ka mundur të zbulojë vrasësit e tij dhe ka arrestuar një prej tyre.

Mësohet se në pranga është Flobenc Gega, 34 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, ndërsa Deieson Nallbani është shpallur në kërkim.

Nallbani dyshohet si personi që ekzekutoi Nexhipin në datën 23 janar 2016, pranë karburant “Vola” në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ndërsa Flobenc Gega dyshohet se e ka ndihmuar atë duke i siguruar kushtet dhe mjetet për të vrarë 52-vjeçarin.

I arrestuari rezulton person me precedentë penalë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për grabitje dhe plagosje, gjithashtu i arrestuar nga autoritetet belge dhe italiane për pjesëmarrje në organizatat kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve, prostitucionit, vrasjeve dhe për kryerjen e 180 grabitjeve me dhunë dhe armë.

Në kohën kur ndodhi vrasja e Hyqmet Nexhipit, policia shoqëroi edhe të birin e tij. Aktualisht autoritetet po punojnë për kapjen e të dyshuarit Deieson Nallbani./b.s/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]