Transmetuar më 30-05-2016, 18:39

Tiranë, 30 maj 2016, NOA.al – Sot ish kryeministri Sali Berisha pati një takim me ambasadorin e SHBA, Donald Lu. Në këtë takim ambasadori Lu e njohu Berishën me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të arritur në një kompromis midis pozitës dhe opozitës për të votuar amendamentet kushtetuese brenda afatit të përcaktuar.

Në takim Berisha shprehu vlerësimin e tij të sinqertë për përpjekjet e ambasadorit Lu për arritjen e një kompromisi, në vlerësimin tij plotësisht të mundshëm, midis palëve për votimin e reformës. Berisha u ndal në rëndësinë jetike që ka zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, për institucionet dhe vendin në tërësi. Ai theksoi se Edi Rama nuk ka vullnet për zbatimin e këtij ligji.

“Rama, pasi ka futur në Parlament vrasës, pengmarrës, trafikante jo që nuk kërkon ndjesë po përpiqet të maskojë aktin e tij kriminal duke i  krahasuar ata me deputetë të dënuar për shkelje të rregullave të trafikut rrugor apo të burgosur me ligjin e arratisjes së kohës së diktaturës, ndërkohë mashtron diplomatë të huaj duke iu thënë se ai vërtet  ka futur kriminelë nga Veriu në Parlament, por ato zona ashtu qeverisen dhe se ata i ka marrë nga Berisha”, u shpreh ish-kryeministri.

Në këtë kontekst Berisha theksoi se nga lista e PD-së nga viti 1991 deri sot nuk ka absolutisht asnjë deputet apo kandidat për deputet të dënuar për krimet e konventës./b.l/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd