
Tiranë, 30 maj 2016, NOA.al- “Trafikut të drogës që bëjnë bandat e Tahirit dhe Edi Ramës, i janë shtuar tashmë dhe armët. Është kjo arsyeja pse Edi Rama nervozohet kur e pyet gazetarja e ‘Euronews’ për trafikun e armëve”.
Kështu tha sot nga Kryesia e Kuvendit, deputeti demokrat Flamur Noka, i cili deklaroi se Kryeministri Edi Rama krekoset dhe shet mend në asamblenë e NATO-s që mbahet në Tiranë, kur droga dhe armët qarkullojnë sheshit.
Ai u ndal në operacionin e policisë italiane të koduar “Iliria”, duke thënë se sot në Bari, janë kapur sasi të mëdha me drogë e me armë, dhe me eksplozivë që kishin kaluar nga Shqipëria dhe që siç tha ai, kishin kaluar pikat e kontrollit kufitar pa asnjë problem.
Noka shtoi se pak muaj më parë, prokurori i antimafias italiane, Kataldo Mota dha alarmin se tashmë përveç kanabisit dhe drogave të forta, nga Shqipëria po vijnë dhe armë, një fakt për të cilin sipas deputetit demokrat, Europa është e shqetësuar.
“Bandat dhe trafikantët e Tahirit dhe Ramës, derisa kanë mbuluar vendin me drogë, derisa kanë këtë licencë për veprimtari kriminale, pse mos ti shtojnë edhe trafikun e armëve? Ata rrisin fitimet. Rritet dhe pjesa e Tahirit dhe e Ramës, rritet 30 përqindëshi i tyre. Ndërsa vendi po zhytet çdo ditë në pasiguri, në një republikë të dështuar të sunduar nga krimi, Rama dërdëllet e jep leksione për sigurinë në asamblenë e NATO-s”, u shpreh Noka.
Ai tha më tej se Shqipëria ndodhet në vendin e parë në raportin e Bashkimit Europian për prodhimin dhe trafikimin e drogës.
Noka kujtoi se 40 ditë më parë, në cilësinë e nënkryetarit të komisionit të sigurisë kombëtare, i ka kërkuar zyrtarisht Edi Ramës të nisë monitorimin nga ajri të territorit, pasi të dhënat flasin për pesëfishim të parcelave të mbjella me kanabis.
Ai tha se i ka kërkuar të bëjë publike të dhënat e monitorimit, por se kreu i qeverisë refuzon të përgjigjet.
Sipas tij, situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi tashmë pjesë e trafikut të paligjshëm, të biznesit kriminal të drogës janë bërë dhe armët.
“Gjendja është e rëndë. Zgjidhja është në dorën e shqiptarëve, dhe zgjidhja është pastrimi i vendit nga droga, nga armët, nga trafikantët dhe nga rrënjët e tyre në qeveri, në zyrën e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës”, tha në mbyllje Flamur Noka./a.y/noa.al
Tritol dhe një ton drogë nga Shqipëria, 8 të arrestuar në Itali
Rama: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, domosdoshmëri
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





