Transmetuar më 30-05-2016, 11:44

Tiranë, 30 maj 2016, NOA.al- Deputeti socialist Musa Ulqini, thotë se ligji për dekriminalizimin u miratua nga mazhoranca sipas kërkesave të opozitës.

Ai tha se u miratua edhe pse ishte në kufijtë e prekjes së Kushtetutës, edhe pse ishte më i ashpri në llojin e tij në të gjithë Europën.

Duke folur sot nga selia rozë, ai deklaroi se Partia Socialiste dhe mazhoranca e miratuan ligjin për dekriminalizimin të bindur se kjo ishte rruga e vetme ligjore, por edhe politike e morale, për të provuar përpara opinionit publik se sa e pavërtetë ishte akuza e lidershipit të PD, se në grupin parlamentar të Partisë Socialiste kishte as më pak e as më shumë, por plot 19 kriminelë.

Ai shtoi se sot që ligji i ka dhënë plotësisht efektet e veta, shqiptarët kanë rastin të binden se në grupin parlamentar të PS nuk ka jo 19, por as edhe një kriminel.

Ulqini deklaroi se Partia Socialiste dhe opinioni publik kërkojnë nga PD dhe lidershipi i saj, nga Lulzim Basha e Sali Berisha, që të japin një shpjegim për baltën që për dy vite rresht hodhën pa kursim mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë.

“Aq më tepër që sot deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin”, u shpreh Ulqini.

Ai tha se Partia Demokratike në vend që të kërkojë ndjesë për përbaltjen më të madhe që u është bërë përfaqësuesve të popullit në historinë e parlamentarizmit shqiptar, hesht për deputetët e saj dhe baltos këdo që kërkon informacion apo shpjegime për implikimin e këtyre deputetëve nga ligji për dekriminalizimin.

Në mbyllje Ulqini nënvizoi se u kujton kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se misioni i opozitës është të thotë të vërtetën dhe jo të ndërtojë kauza të gënjeshtërta dhe se në pushtet nuk vihet duke përbaltur kundërshtarët, por duke ndërtuar alternativa qeverisëse për shqiptarët./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd