
Tiranë, 29 maj 2016, NOA.al- Enkelejd Alibeaj thotë se fakte të reja tregojnë se si e kishte ngritur Klement Balili, i quajtur nga CNN si "Eskobari i Ballkanit", industrinë e tij të trafikimit të drogës.
Kreu i departamentit të Rendit dhe Sigurinë, në Partinë Demokratike, në një dalje të sotme për mediat, deklaroi se në fillim ai kapi transportet, pasi Edi Rama e emëroi drejtor rajonal për Sarandë.
Ai shtoi se më pas, futi nën kontroll pikat kufitare, duke caktuar përmes ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si shef të kufirit për komisariatin e Sarandës, Asim Canajn, të cilin Balili e kishte për 10 vite drejtues në biznesin e tij, në policinë private.
Alibeaj deklaron se që prej viti 2013, Klement Balili rilindi duke futur në dorë rrugët e transportit të drogës, pasi ishte vetë drejtor, dhe duke pasur gjithashtu në dorë pikat e kalimit të drogës jashtë vendit, me hyzmeqarin e tij, si shef kufiri.
“Po çfarë ndodhi kur aksioni ndërkombëtar i policisë greke, belge dhe DEA-s amerikane iu afrua Balilit, dhe ai ia doli të arratisej falë bashkëpunimit të suksesshëm të Tahirit. Shefi i komisariatit të Sarandës u pezullua për këtë neglizhencë të vogël, dhe në krye të policisë atje, u komandua për disa ditë, pikërisht i punësuari nga Balili, Asim Canaj”, u shpreh Alibeaj, duke thënë se duhej disa ditë në krye të policisë së Sarandës njeriu i Balilit, për të kopsitur letrat, për të rregulluar punët, apo për të fshirë gjurmët.
Ai e cilësoi si inkrimkiminim dhe kapje të shtetit nga krimi, ku krimi është i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim.
Sipas tij, këto fakte jo vetëm dëshmojnë se Tahiri dhe Rama e dinin shumë mirë kush ishte Balilaj, por kishin vënë në dispozicion të tij gjithë infrastrukturën shtetërore.
Alibeaj thotë se Saimir Tahiri del edhe një herë drejtpërdrejt i përfshirë në krim, në trafik droge dhe se çdo ditë e tij në detyrë, është një ditë më shumë në pushtet e krimit, e drogës dhe e trafikantëve./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





