


Elbasan, 29 maj 2016, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me banorë të Shirgjanit, Gjergjanit dhe Bradasheshit në Elbasan, ku diskutoi për problematikën e këtyre zonave.
Basha akuzoi qeverinë se nuk jep subvencione, nuk rrit pensionet dhe as ul çmimin e energjisë, duke thënë se bën vetëm rritje taksash dhe rritje fukarallëku.
“Çfarë i bën lekët? 2.2 miliardë euro i ka vjedhur për dy vite oligarkia me atë në krye. I bie 2 milionë lekë të vjetra për vit për familje”, tha Basha në takimin e djeshëm.
Ai premtoi se me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, çmimi i energjisë do të ulet për konsumatorin dhe për biznesin dhe se prioritet numër një do të jetë bujqësia, 150 milionë euro, nga të cilat 50 milionë euro për infrastrukturën dhe 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerin.
“Ne do ta mbështesim blegtorinë me subvencione të drejtpërdrejta. Çdokush që ka bagëti, lopë, dele, dhi do të marrë për kokë subvencionet, për kokë”, u shpreh Basha.
Ai tha më tej se me qeverisjen e demokratëve, familjet në ndihmë ekonomike nuk do të paguajnë taksa, as faturë energjie deri në 300 kw dhe as faturë ujë.
Sipas tij, t’i japësh pesë lekë fukarait me një dorë dhe t’i marrësh dhjetë me tjetrën, ky është krim dhe jo ndihmë ekonomike./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





