Transmetuar më 29-05-2016, 09:59

Tiranë, 29 maj 2016, NOA.al- Asambleja Parlamentare e NATO-s, zhvillon sot ditën e dytë të punimeve në Tiranë, ku marrin pjesë 28 vende të aleancës, për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mbajti sot fjalën para të pranishmëve, ku tha se Asambleja Parlamentare e NATO-s, është një mishërim i qartë i vlerave demokratike të kësaj Alenace.

Ajo u ndal në luftën ndaj terrorizmit, duke thënë se “I ashtuquajturi Shteti Islamik” dhe grupe të tjera terroriste, të furnizuar nga fenomeni i luftëtarëve të huaj në të gjithë botën, janë një kërcënim real jo vetëm për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, por edhe për shoqëritë tona.

“Një kombinim i kërcënimeve dhe sfidave tradicionale dhe jo-tradicionale, të provokuara nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, të cilat kërkojnë një qasje të plotë dhe të fortë për frenimin dhe mbrojtjen (deterrence and defense)”, u shpreh ministrja.

Ajo tha se për një kohë të gjatë, mbrojtja ishte lënë mënjanë dhe shpenzimet e mbrojtjes, ndër vite, ishin tkurrur në mënyrë të ndjeshme dhe si rrjedhojë shtoi ajo, kalimi nga një "regjim i menaxhimit të krizave” në “një regjim të mbrojtjes kolektive”, për shumë vende nuk ishte i lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për të riinvestuar për mbrojtjen.

Sipas saj, në ditët e sotme migrimi dhe terrorizmi janë në krye të sfidave ndërshtetërore që kërkojnë zgjidhje ndërshtetërore.

Kodheli deklaroi se në skenarë të tillë, kërkohen përgjigjet në nivel NATO dhe BE, ndërsa nënvizoi se të merresh me këto sfida multidimensionale nuk është një detyrë e lehtë, por tha se nuk ka një zgjidhje të mesme.

Ministrja nënvizoi se rruga drejt anëtarësimit në BE është më e ndërlikuar për Ballkanin Perëndimor, dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë, ku tha se paqartësitë politike dhe ato të sigurisë, por dhe problemet ekonomike janë duke e dobësuar ëndrrën e integrimit.

“Vendi im do të mbështesë praninë e shtuar të NATO-s në Evropën Juglindore, sepse për ne, kjo thjesht do të thotë se bashkësia e vlerave dhe parimeve të përbashkëta është duke u forcuar. Gjithëpërfshirja është një domosdoshmëri, prandaj ne na duhet një qasje konstruktive me të gjitha vendet e rajonit. Jemi të mendimit se ka ardhur koha që NATO të hapë një faqe të re dialogu dhe partneriteti të strukturuar me Kosovën”, deklaroi Kodheli.

Ajo tha se shqiptarët vazhdojnë të besojnë ende në projektin europian dhe sipas saj kjo është një nga “armët kryesore” për të zmbrapsur problemet nga rrethinat tona.

Kodheli shprehu shqetësim në lidhje me fenomenin e luftëtarëve të huaj, të cilët ushqejnë organizatat terroriste në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe si rrjedhojë, pas diskutimeve dhe koordinimit në rrafsh bilateral dhe atë NATO, tashmë po përshpejtohen përpjekjet , për të krijuar një Qendër Ekselence të NATO-s në Shqipëri, kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj (NATO Foreign Fighters Center of Excellence).

Ministrja tha po ashtu se ky spektër i gjerë angazhimesh është një tregues i qartë i gatishmërisë së Shqipërisë për të forcuar sigurinë e përbashkët dhe për të kontribuar në përpjekjet e gjithanshme dhe afatgjata të përshtatjes së NATO-s, drejt Samitit të Varshavës.

Në Komitetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes të kësaj asambleje mbajti fjalën e tij edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Jeronim Bazo.

Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s e cila po zhvillon punimet në Tiranë në datat 27-30 maj, marrin pjesë rreth 260 delegatë nga parlamentet e 28 vendeve anëtare të NATO-s.

Kjo asamble shërben si organizatë konsultative ndërparlamentare për Aleancën e Atlantikut të Veriut./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd