Transmetuar më 29-05-2016, 06:12

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushatin inspektuan sot punimet në rrugën në rikonstruksion në zonën e Shkozës. Bashkia e kryeqytetit ka nisur zbatimin e projektit të rikonstruksionit të rrugës “Ali Shefqeti”, me një gjatësi 2 km, e njohur ndryshe si rruga e Shkozës.

Kryetari i bashkisë, Veliaj u tha banorëve të zonës se fokusi i tij është përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe nuk la pa përmendur faktin se prej kohësh, kjo zonë ishte lënë në harresë nga pushteti vendor. Por, kryebashkiaku theksoi gjithashtu se së shpejti do të ketë punime jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe atë shkollore e sociale.

“Ndërkohë kemi filluar edhe me rrugët anësore dhe besoj që kjo do të jetë një verë pa pushim për Bashkinë e Tiranës, për t’u siguruar që edhe punët e bashkisë edhe të nënkontraktorëve, në të gjithë njësinë nr. 1, të mbarojnë deri në fund të verës, që mandej shtatori, kur fillon shkolla, të na gjejë me rrugë dhe infrastrukturë të re”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se për njësinë numër 1 bashkia ka investuar edhe 3 miliardë dollarë të tjerë, në përgjigje të korrektësisë së qytetarëve për pagesën e taksave dhe devotshmërinë që kanë treguar si qytetarë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, njëherësh edhe deputet i zonës, falënderoi në emër të banorëve Bashkinë e Tiranës për punën që po kryen në këtë njësi, jo vetëm në rrugën kryesore, por edhe në disa blloqe banimi. /b.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd