Transmetuar më 29-05-2016, 05:07

Në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohen këto ditë në Tiranë, kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti zëvendëskryetarin e parë të Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit Ziyafat Asgarov.

Gjatë takimit dypalësh, kryeparlamentari Meta vlerësoi intensifikimin e marrëdhënieve politike mes dy vendeve dhe shtoi se dëshiron forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar dhe përfaqësimit diplomatik.

Dy politikanët ndanë mendimin e njëjtë se realizimi i suksesshëm i projektit TAP ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë e Azerbajxhanin, por për gjithë Evropën.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Nagorno-Karabakh, kryetari i Kuvendit Meta theksoi se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit në formatin e Grupit të Minskut dhe vazhdimin e dialogut për një zgjidhje paqësore, duke shmangur përdorimin e dhunës. /b.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd