
“Shqipëria është një anëtar i përkushtuar dhe i vlerësuar i NATO-s”. Është kjo deklarata e Presidentit të Asamblesë së Aleancës, Michael Turner gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.
Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohet Aleanca e Atlantikut të Veriut, si: Situata në Lindjen e Mesme dhe rreziku që vjen nga terrorizmi, kriza e refugjatëve, situata e sigurisë në rajon dhe në kufijtë e Aleancës, politika e dyerve të hapura dhe anëtarësimi i Malit të Zi në NATO.
Kreu i Kuvendit theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe në misionet e drejtuara nga NATO në dobi të paqes dhe sigurisë globale.
Gjithashtu, Meta nënvizoi rëndësinë që ka modernizimi i mëtejshëm i Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të sigurisë kombëtare, duke rritur kapacitetet njerëzore, infrastrukturore dhe buxhetet respektive./f.g/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





