
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet ditën e martë në ora 10:00 për të miratuar vendimin “Për shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe përfundimin e përkohshëm të mandatit për anëtarët e këshillave bashkiak të cilët nuk kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit në KQZ, brenda afatit ligjor.
Nga verifikimi përfundimtar i kryer nga KQZ rezulton se nga 65 këshilltarë bashkiakë që figurojnë pa dorëzuar formularët e vetëdeklarimit, 16 kanë dhënë dorëheqjen ose kanë humbur mandatin para afatit të dorëzimit të formularit, shkruan gazeta shqiptare. Ndërsa 49 këshilltarë që e kanë detyrim nuk e kanë depozituar formularin e vetëdeklarimit brenda afatit të caktuar.
Midis emrave që nuk kanë plotësuar edhe këtë formuar janë edhe disa anëtarë të këshillit bashkiak në Tiranë, si profesoresha e njohur Klodeta Dibra, e cila garoi për rektore në zgjedhjet për Universitetin e Tiranës dhe që u përfshi në të ashtuquajturën çështja “Shullazi” si edhe Luan Bregasi, një biznesmen i njohur.
Gjithashtu bie në sy edhe anëtari i këshillit bashkiak të Himarës, njëherazi ish-kryebashkiaku i këtij qyteti, Vasil Bollano, si edhe drejtues lokalë të PS-së dhe partive të tjera. Ata, nëse nuk ofrojnë justifikime ligjore të besueshme, humbasin mandatet në këshillat bashkiakë për shkak se nuk kanë dorëzuar në KQZ formularin e vetëdeklarimit brenda afatit ligjor.
KQZ bëri publike listën e zyrtarëve që kanë vetëdeklaruar ose që kanë refuzuar vetëdeklarimin në zbatim të ligjit të njohur, si ligji i dekriminalizmit. Sipas KQZ-së, deklarata është plotësuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nga 19 ministra, nga 61 kryetarë bashkisë si dhe nga 1530 këshilltarë.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





