





Modelja 21-vjeçare Winnie Harlow është shumë e njohur, për faktin se ka lindur me lëkurën me njolla ngjyrë kafe, për shkak të mungesës së pigmentit. Megjithatë nuk duhet anashkaluar se ajo është një modele e talentuar dhe ka linja perfekte që bien në sy.
Në fëmijërinë e hershme ajo ka qenë viktimë e bulizmit dhe bashkëmoshatarët talleshin me “defektin” që kishte në lëkurë, ndërsa sot është shumë e suksesshme në fushën e modelingut.
Ajo kurrë nuk ka pasur qëllim të flasë për këtë gjendje fizike që ia ka dhuruar nëna natyrë, por qëkur është bërë pjesë e botës së showbizit ndërkombëtar, qendra e vëmendjes është zhvendosur pikërisht aty, duke e parë e trajtuar si “përfaqësuesen” e vajzave që kanë të njëjtin problem.
Popullariteti i modeles Winnie Harlow është rritur ndjeshëm sidomos pas pjesëmarrjes së saj në konkursin America’s Next Top Model dhe në videokplin e këngëtarëve të njohur Drake dhe Beyonce. Që atëherë numri i ndjekësve të saj në rrjetet sociale ka shkuar në 1.1 milion.
Por së fundmi, ajo ka shprehur shqetësimin se nuk dëshiron ta konsiderojnë si një model për vajzat e vogla dhe adoleshente. 21-vjeçarja ka rrëfyer për revistën Wonderland se të qenit një model për t’u ndjekur është përgjegjësi shumë e madhe.
“Unë personalisht nuk e di përse më shohin si model. Do të më pëlqente më shumë t’a quaja veten frymëzim për vajzat e vogla dhe adoleshente”, tha Harlow.
Më tej ajo shton se nuk po bën asgjë të jashtëzakonshme përveçse po jeton jetën e saj si çdo njeri tjetër normal dhe do të dëshironte të mbetej e thjeshtë gjithmonë./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





