


Tiranë, 27 maj 2016, NOA.al- Presidenti i T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë nënkryetarin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, njëkohësisht Zëvendëkryetar i Shoqatës Kineze për Mirëkuptim Ndërkombëtar (CAFIU), Ji Bingxuan, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Biseda u fokusua kryesisht në mundësitë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe në organizatat ndërkombëtare.
Presidenti vlerësoi klimën shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh dhe evidentoi rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës.
Duke iu referuar miqësisë mes dy popujve, Presidenti Nishani nënvizoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të kësaj miqësie dhe të dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, ku një rol të veçantë luan forcimi i bashkëpunimit kulturor.
“Jam i bindur se vizita juaj në Shqipëri dhe e delegacionit që ju shoqëron, do t’i japë një nxitje më të madhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani nënvizoi gjatë takimit se, falë eksperiencës shumë të gjatë të bashkëpunimit mes dy vendeve ekzistojnë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi ekonomiko-tregtar të rritet më tej.
Kreu i Shtetit theksoi se forcimi i bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të ketë një impakt pozitiv për zhvillimin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të Republikës Popullore të Kinës në arenën ndërkombëtare dhe në OKB, në interes të paqes dhe stabilitetit, si dhe e njohu bashkëbiseduesin për realitetin e ri dhe ndryshimet pozitive që kishte pësuar rajoni i Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në dekadën e fundit.
Presidenti Nishani shprehu besimin për rolin që Kina mund të luajë në rajonin e Ballkanit, në funksion të forcimit të paqes dhe të sigurisë, si dhe të pajtimit mes popujve të rajonit, duke theksuar se mbështetja e pavarësisë së Kosovës dhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është në interes të paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në fund të takimit, Presidenti Nishani i përcolli, përmes Bingxuan, Presidentit të Republikës Popullore të Kinës një ftesë për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të përshtatshme për të./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





