


Foto: Andrea Buba
UEFA ka nisur zyrtarisht një hetim për trukim të ndeshjeve të ekipit Skënderbeu i Korçës. Ky hetim, bazohet në komentet e fansave të ndryshëm në rrjetin social, Facebook.
Kjo është hera e parë që një organizëm serioz si UEFA, ngre një çështje hetimi duke u bazuar në përfoljet e rrjeteve sociale. Pas mbledhjes së një numri komentesh nga Facebook, ekipi hetues i UEFA gjithashtu ka shkëmbyer informacion me kompanitë e basteve shqiptare dhe të huaja, në përpjekje për të gjetur lidhje të fitoreve të ekipit korçar me dyshimet për trukim.
Edhe kampioni i Superligës shqiptare KF Skënderbeu pohon se janë duke u hetuar nga UEFA për fiksimin e ndeshjeve.
Në një deklaratë për shtyp, Klubi Skënderbeu pohoi se “jemi njoftuar nga UEFA për t’u paraqitur në një seance dëgjimore për të dhënë shpjegime në lidhje me një hetim në ngarkim të klubit tonë nga organizata më e madhe e futbollit evropian”.
Inspektorët e UEFA-s kanë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e rezultateve të Skënderbeut në disa ndeshje te kampionatit shqiptar (kundër Partizanit, Teutës, Tiranës,Vllaznisë), si dhe në kupat e Europës.
Sipas materialit të vënë në dispozicion, hetimi ka nisur nga aludimet në rrjetet sociale nga ana e tifozëve kundërshtarë të Skënderbeut, si dhe nga media të caktuara, – thuhet në deklaratën e KF Skënderbeu.
“Pa dyshim që e kemi vlerësuar maksimalisht këtë situatë dhe do t’u japim shpjegime inspektorëve, duke u argumentuar atyre se ne kemi fituar gjithçka me meritë dhe se rezultatet tona kanë qenë gjithmonë të merituara”.
“Jemi të qetë, pasi dimë vërtetësinë e seriozitetin e punës sonë. Në të njëjtën kohë, po përgatitim gjithçka mirë për një përfaqësim dinjitoz në kupat e Europës”, – përfundon qëndrimi i ekipit juglindor, i njohur edhe si “Ujqërit e Dëborës”. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





