Transmetuar më 26-05-2016, 19:56

Tiranë, 26 maj 2016, NOA.al – Kreu i Kuvendit Ilir Meta në një konferencë të përbashkët me nënkryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kinës, Ji Bingxuan deklaroi se Shqipëria po punon për ruajtjen e paqes në rajon. Meta teksa falënderoi për vizitën Ji Bingxuan, theksoi se vendi ynë do të vijojë me intensifikimin e këtij bashkëpunimi me Kinën.

“Ju uroj mirëseardhje. Kjo vizitë dëshmon qartë marrëdhëniet mes dy vendeve mike. Zhvilluam një takim miqësor me miqtë tanë nga Kina me të cilët kemi diskutuar mbi bashkëpunimin në politik dhe në ekonomi. Marrëdhëniet tona diplomatike janë vendosur 69 vit më parë dhe do vijojë në të gjitha drejtimet në të ardhmen. Republika popullore e Kinës simbolizon një vend mik dhe shkëmbim tregtar me Shqipërinë”, tha Meta.

Ndër të tjera ai pohoi se Shqipëria do të vazhdojë dhe thellojë bashkëpunimin politik dhe ekonomik me Kinën.

“Kemi rënë dakord që përmes bashkëpunimi të zgjerojmë atë në interesa reciprokë. E kemi falënderuar zv.kryetarin e Kuvendit të Kinës jo vetëm për mbështetjen e shtetit për intensifikimin e marrëdhënieve, por dhe në intensifikimin e marrëdhënieve me vendet e tjera”, deklaroi Meta.

Nga ana e tij nënkryetari i Asamblesë Kombëtare të Kinës, Ji Bingxuan theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shprehur vlerësimin e Kinës për Shqipërinë, për ndihmën që ajo i ka dhënë më herët.

“Jam shumë i lumtur që takohem me ju në parlamentin shqiptar. Ne kemi patur një pritje të ngrohtë. Me kreun parlamentit patëm një bisedë shumë miqësore dhe të frytshme. Dua të shtoj nderimet për këtë popull punëtor dhe trim. Kina dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë miqësie. Ne gëzohemi për zhvillimin e Shqipërisë dhe rezultatet që ajo merr përditë. Edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë ardhur duke u zhvilluar, dhe ka pasur disa bashkëpunime ekonomike e tregtare. Kina nuk e harron ndihmën e madhe që Shqipëria i ka dhënë për interesa madhore të vendit. Kina dhe populli kinez kanë përkrahur Shqipërinë në rrugën që ajo ka zgjedhur drejt integrimit”, tha Ji Bingxuan.

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd