
Tiranë, 26 maj 2016, NOA.al – Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha e pranishme sot në Sesionin Përmbledhës të Konventës për Integrimin Europian theksoi rëndësinë që ka kontributi i gjithë aktorëve për procesin e integrimit. Ministrja u shpreh se për të çuar përpara procesin e integrimit janë të nevojshme aksionet konkrete të ekspertëve, të qytetarëve, të të gjitha grupeve të interesit.
“Ne sot kemi nevojë të ndjekim praktikat më të mira të vendeve që kanë kaluar nëpërmjet këtij procesi përpara nesh. Të mësojmë prej tyre. Ajo për të cilën kemi nevojë gjithashtu, janë pikërisht rekomandimet dhe ekspertiza konkrete, duke i paraprirë madje pse jo edhe institucioneve shtetërore e duke i vënë ato përpara një përgjegjësie më të madhe”, tha Gjosha.
Ministrja u shpreh se Ministria e Integrimit Europian, e cilëson gjithëpërfshirjen prioritet shumë të rëndësishëm, duke shprehur bindjen se progresi i Shqipërisë në rrugën e integrimit, nuk mund të bëhet ndryshe.
“Sigurisht gjithëpërfshirja, realizohet pikësëpari nga institucionet shtetërore, por pjesëmarrja e aktorëve të tjerë është thelbësore. Ministria e Integrimit i është përmbajtur rolit të saj koordinues për të standardizuar konsultimet më këta aktorë, duke i pasur periodike ku veçanërisht me shoqërinë civile jemi përpjekur të kemi një bashkëpunim konkret dhe të frytshëm”, u shpreh Gjosha.
Nëpërmjet Konventës synohet rritja e pjesëmarrjes të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare në formulimin e politikave kombëtare, forcimin e aftësive të ekspertëve në negocimin për integrimin europian si dhe krijimi i një kanali të qëndrueshëm dhe interaktiv informimi për publikun e gjerë./b.l/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





