
Tiranë, NOA.al – Qarkullimi i masave ajrore nga veriu i Afrikës do të bëjë që vendi ynë të ndikohet nga moti i qëndrueshëm. Për pasojë kthjellimet dhe temperaturat e larta do të jenë dominante në të gjithë vendin.
Pjesa e dytë e ditës do të sjellë kalime vranësirash të lehta në zonat verilindore – juglindore duke lënë në ndikimin e motit të kthjellët dhe temperaturave 29-30 gradë C Ultësirën Perëndimore. Parashikohet që e njëjta situatë meteorologjike të na shoqërojë dhe gjatë natës.
Sipas MeteoAlb edhe gjatë ditës së premte, temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat e mëngjesit edhe në të mesditës duke shkuar deri në 30 gradë celcius. Era do të fryjë e lehtë si në tokë dhe në det me shpejtësi 15 km/h nga drejtimi jugperëndimor duke bërë që edhe deti të jetë kryesisht i qetë.
Europa
Zhvillimi i një qendre me presion të ulët atmosferik në qendër të kontinentit do të kushtëzojë mot me vranësira dhe shira në Evropën qendrore, Alpe si edhe zonat përreth tyre, më të dendura shirat do të jenë në Gjermani dhe Austri ku do të ketë dhe stuhi të forta ere. Gjithashtu, me vranësira dhe shira do të paraqitet moti për ishujt britanike dhe rajonin e balltikut, por intensiteti i tyre do të jetë i dobët.
Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e Evropës do të jetë në ndikimin e qarkullimit të masave ajrore të qëndrueshme duke bërë që moti i kthjellët dhe temperaturat e larta të jenë dominante. Temperatura më të larta do të përjetojë Mesdheu./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





