Transmetuar më 26-05-2016, 11:29

Varësia që Presidenti i Turqisë ka ndaj pushtetit është një sëmundje që vendi i tij nuk mund ta përballojë më

Nga Maajid Nawaz / The Daily Beast

Presidenti aktual i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2002, një vit pas formimit të partisë së tij AK [Partia për Zhvillim dhe Drejtësi]. Por, 11 vite si kryeministër i vendit nuk ishin të mjaftueshme për të. Në vitin 20012, Erdogan ndryshoi sistemin, duke i hapur rrugën vetës që të bëhej presidenti i parë i zgjedhur me votat e popullit në vitin 2013.

Në të vërtetë ambiciet e tij për një pushtet të pakufijshëm, fillimisht ai ia ka dalë mbanë që t’ua shesë turqve si diçka thjesht “ceremoniale”.

Por, fasada ka rënë tashmë.

Pas zhvillimeve të muajit të fundit, tashmë askush nuk ka më dyshime për iluzionet e madhështisë neo-otomane të Erdoganit. Ai detyroi Kryeministrin, Ahmet Davutoglu që të japë dorëheqjen dhe përdori manovrat e tij për ta zëvendësuar atë me një mik të vjetër të tij. Ndërkohë për disa ditë, dhëndrri i tij u përfol dhe dukej se do të ishte ai personi që do të merrte positin e kryeministrit të ardhshëm.

Nuk do të ishte aspak e ekzagjeruar nga ana ime, dhe njëkohësisht as metaforike, nëse në këtë rast do të përdorja shprehjen klishe “grusht shteti nga saraji”. I ndërtuar mbi një kodër në periferi të Ankarasë dhe i porositur enkas nga Erdogan, Pallati i Bardhë (AK Saray) ka 1000 dhoma. Saraji është më i madh se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini, dhe kjo ekstravagancë e këtij sundimtari, i ka kushtuar buxhetit më shumë se 615 milionë dollarë. Dhe bashkë me rritjen e sulltanatit të Erdoganit, rriten dhe kapriçiot e sundimtarit.

Sipas Freedom House, liria e shtypit në Turqi ka marrë një goditje të rëndë nga Erdogan dhe është në nivele alarmante. Këto sulme të çmendura dhe të paprecedenta ndaj gazetarëve, muajin e kaluar arritën kulmin me sekuestrimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të gazetës më të madhe opozitare, “Zaman”, e cila  tashmë është në pronësi dhe menaxhohet turpësisht nga shteti turk. Sulmet e Erdogan ndaj gazetarëve kanë qenë aq të shpeshta, sa që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama e ndjeu të nevojshme që të paralajmërojë autoritarin Erdogan që të heqë dorë nga këto sulme.

Por, të tilla sjellje janë normale për diktatorët e gjithëpushtetshëm, të cilët shpesh aftësinë për të drejtuar vendin, e ngatërrojnë me demonstrimin e popullaritetit dhe pushtetit të tyre. Në të vërtetë kjo është dhe një dobësi e tyre. Fuqia është një armë. Dhe ashtu sikundër një armë zjarri, edhe ajo është një armë, e cila ka të ngjarë që jo vetëm është e rrezikshme për të tjerët, por është po aq e rrezikshme dhe për ju.

Asgjë nuk i nxjerr më në pah këtë dobësi, këtë pasiguri maniake, dhe këtë obsesion foshnjor për të kontroll,  me një egërsi më komike, se dredhitë që Erdogan përdori ndaj Gjermanisë.

Presidenti i Turqisë, lideri i madhërishëm i momentit i një kombi krenar dhe me të shkuar historike, paraqiti një padi penale kundër Jan Boehmermann, një satirist gjerman për… të vetmen arsye që ai këndoi një këngë për të.

Për të transferuar në shtëpi seriozitetin e ofendimit në fjalë, ambasadori i Gjermanisë në Turqi, Martin Erdmann, u thirr në Ministrinë e Jashtme të Turqisë për të dhënë shpjegime për këtë video. Atje, atij iu kërkuar që të shpjegonte — po, të sqarojë — videon, dhe të japë garancitë që ajo video është hequr nga qarkullimi.

E shikoni, Udhëheqësi i Madhërishëm ndihej i fyer.

Por ai fitoi. Për shkak të ligjeve arkaike të Gjermanisë, të cilat ndalojnë ofendimin institucioneve dhe zyrtarëve të “shteteve të huaja”, një nga satiristët më inteligjentë të Gjermanisë është urdhëruar nga një gjykatë Hamburg që të censurojë këngën e tij për sulmet e pamëshirshme të Erdoganit ndaj shtypit në Turqi.

Boehmermann u përgjigj në Twitter duke publikuar një link të një kënge ikone të “Beastie Boys”, “(Duhet) Të luftoni për të drejtat tuaja (Partinë!).” [“(You Gotta) Fight For Your Right (To Party!)]

Dhe pastaj, erdhi dhe reagimi i shtypit liberal britanik, i cili tradiocionalisht nuk i merr seriozisht zyrtarët. Shtypi britanik ndërhyri dhe vodhi shfaqjen. Revista “The Spectator” e Douglas Murray iu përgjigj menjëherë strategjisë dhe taktikave të “viktimizimit” të Erdoganit, duke publikuar një konkurs poetik me titull “Fyeni Erdoganin”. Kjo revistë ofroi dhe një çmim 1 000 Paundë (1 448 dollarë) për poemën humoristike pesëvargëshe më fyese. Sa më shumë fyese aq më mirë, thanë, dhe ja ku është dhe poezia fituese”

Na ishte një burrë nga Ankaraja

Një masturbues i tmerrshëm

Derisa mbolli farën e keqe

Me ndihmën e një dhie

Por, ai as nuk u ndal as të falenderojë.

Dikush mund të ketë të drejtë të dyshojë se çmimi për këto vargje është shumë i ulët, nëse krahasohet me vlerat e tij lirike, dhe duke marrë parasysh dhe autorin e këtyre vargjeve. Është interesante fakti që këto vargje janë të rastësishme dhe janë shkruar nga ish-kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson, i cili është me prejardhje turke. Një do të ishte i falur për publikimin e mesazheve fyese në rrjetin social Twitter nën hashtagun #OffendErdogan.

Por, le t’i lëmë mënjanë talljet, pasi në fakt ekziston një element shumë serioz dhe i errët në megallomaninë e Erdoganit. Neni 299 i kodit penal turk, i cili në të kalurën pothuajse nuk është përdorur fare, thekson se kushdo që fyen kreun e shtetit, mund të dënohet me burg deri në 4 vjet.

Gjatë periudhës së Erdogan, që nga gushti i vitit 2014 deri në muajin mars të vitit 2015, të paktën 236 persona janë akuzuar për “fyerje të kreut të shtetit”. Që nga viti 2003 deri në vitin 2014, 63 gazetarë janë dënuar në total me 32 vite burg. Një djalosh 16-vjeçar, në fillim të këtij viti u akuzua se gjatë një proteste e quajti presidentin hajdut. Nëse dënohet, ai do të përballet me 4 vite burg. Edhe ish-Miss Turqia është akuzuar për postimin e një poezi në Instagram, të cilën “sulltanin” e vlerëson fyese.

Pra, në këtë nivel ka rënë Republika e Turqisë, për shumë kohë një bastion i Islamit laik pluralist, dhe po rrëshqet ngadalë drejt krizës së ankthit të një njeriu që gjurmon komedianët e vendeve të huaja.

Dikur, para disa procesesh zgjedhore dhe para se ai të ndryshonte sistemin për të garantuar pushtetin e tij, dhe unë kam qenë një mbështetës i Erdoganit. Kisha shumë shpresa, sidomos nga mënyra se si ai arriti që të nxirrte ekonominë turke nga rrënojat dhe e çoi atë drejtë një ekspansioni dhe rritjeje deri në 68 për qind. Kjo është një rritje mesatare vjetore 4.5 për qind, e dyta pas Kinës. Jam impresionuar nga mënyra se si ai i bëri ballë ndërhyrjeve të vazhdueshme të ushtrisë turke dhe e detyroi ushtrinë jodemkratike turke që të kthehet në kazermat e saj. Kam qenë optimist për drejtimin e tij post-islamik dhe rrugëtimin e tij drejt një demokracie laike të frymëzuar nga religjioni.

Por, jo më! Kam gabuar dhe unë me gjithë zemër u kërkoj falje të gjithë liberalëve turq kudo që ndodhen.

Do të ishte një nënvlerësuese të thuash se Erdogani është i dehur nga pushteti. Ky njeri ngjan më shumë me varësi ndaj drogës. Sa më shpejt që ai të dalë në pension, aq më mirë do të jetë. Në të vërtetë, i gjithë “Modeli Turk” ka vdekur, Erdogan i ka injektuar overdozë.

*Qëndrimet e shprehura në rubrikën “Opinion” nuk paraqesin domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA