
Tiranë, 26 maj 2016, NOA.al- Seanca e sotme parlamentare ka nisur me një propozim të deputetit socialist Eduard Shalsi, i cili ka kërkuar që gjatë zhvillimit të saj të diskutohen çështje të rendit të ditës dhe të mos dilet jashtë tyre.
Ai kërkoi që ky propozim të pranohet nga të gjithë deputetët, të majtë e të djathtë, dhe në vijim të gjendet një moment i dytë për të diskutuar çështje të tjera.
Në reagim ndaj tij, kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, tha se e mirëkupton propozimin e deputetit Shalsi, por shtoi se e drejta e deputetëve për të folur në Parlament për çështje të rëndësishme për qytetarët është dominante.
“Është e pamundur që në këtë vend, në të vetmin vend ku opozita ka të drejtën e fjalës, ne të flasim për ligjin, për shembull për atë të ushqyerjes me gji, ndërkohë që kemi parë pamjet e Shukriut, lidhjet e drogës dhe skandalet qeveritare që janë të përditshme. Dhe ju propozoni që ne mos t’i përmendim, por të flasim për qumështin e gjirit pasi kemi parë Shukriun në televizor”, – u shpreh Paloka.
Nga ana e tij kryeparlamentari Ilir Meta, ndërhyri duke sqaruar se deputeti Shalsi nuk kërkoi që të mos ngrihen probleme të qytetarëve, por që të gjendet një zgjidhje që të diskutohen në një kohë të caktuar. Ai vijoi më tej duke thënë se propozimi i Shalsit ka si qëllim që të mos cenohen diskutimet për ligjet, duke e cilësuar si një konstatim të drejtë./a.y/noa.al/
Parlamenti Live
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





