
Policia greke çliron nga akuzat paraprake, shqiptarin e ndaluar. Nuk ka asnjë provë që ta lidhë atë me krimin e shëmtuar ku 25-vjeçarit Bledar Tërpollari nga Korça u vra dhe më pas iu pre koka. Pohimi i Policisë së Greqisë: Ka alibi të fortë ndaj nuk akuzohet për krimin. Do të mbahet në paraburgim për emigracion klandestin. Kurse nuk dihet sa përgjegjësi penale mban për faktin që pa gjithë krimin siç pohoi dhe nuk e denoncoi por rrëfeu vetëm kur u ndalua si i dyshuar. Dëshmia e plotë e 28-vjeçarit shqiptar për natën e frikshme kur u vra përbindshëm Tërpollari
Janinë, 25 Maj 2016 NOA.al – I riu shqiptar që u ndalua dhe u mbajt për të paktën dy ditë në izolim me qëllim zbardhjen e masakrës së Janinës, është çliruar nga akuza paraprake e pjesëmarrjes në vrasje.
Policia lokale pohoi se nuk ka asnjë provë që ta lidhë 28-vjeçarin me krimin e shëmtuar që ndodhi në rajonin e Janinës, më saktë në zonën Gliki të Thesprotisë.
Zyrtarisht policia greke tha se i riu ka paraqitur një alibi të fortë që provon se ai nuk ka gisht në vrasje dhe as pjesëmarrje në të.
Sakaq, nuk dihet sa përgjegjësi penale mban për faktin që pa gjithë krimin siç pohoi dhe nuk e denoncoi por rrëfeu vetëm kur u ndalua si i dyshuar.
Megjithatë, policia ka vendosur ta mbajë të ndaluar, pasi rezultoi se ai ishte pa leje qëndrimi në Greqi dhe akuzohet për emigracion të paligjshëm dhe kalim të paligjshëm të kufirit.Djali 28-vjeçar, ishte i dyshuari i tretë i ndaluar dhe më pas i liruar, pas prangosjes menjëherë pas zbulimit të krimit makabër, të atë e bir grekë, që u gjetën me armë dhe municion në shtëpi. Të njëjtit ishin edhe punëdhënës të të ndjerit.
Por policia greke tha orët e pasdites së të mërkurës, se është e paqartë pse i riu ka dallime në dëshminë e tij të dhënë disa herë për hetuesit. Ai ka identifikuar persona të ndryshëm ndër tre shqiptarët që tha se masakruan Bledarin, duke e vënë gishtin herë tek njëri dhe herë tek tjetri, sa i përket goditjes kryesore, vrasjes me plumb të të ndjerit.
Konfirmohet se një nga shqiptarët që 28-vjeçari kallëzoi si të përfshirë në krim, është lokalizuar në Janinë dhe është shoqëruar për t’u marrë në pyetje te grupi special hetimor i Thesprotisë që po heton çështjen “Tërpollari”.
***
Djaloshi 28-vjeçar nga juglindja e Shqipërisë, ka dëshmuar për policinë greke dhe grupin e gjerë hetimor të ngjarjes, gjithçka ai tha se dinte mbi masakrën e Janinës. I riu tregoi se ai kishte njohje të mëparshme me Bledarin.
Natën e 9 majit, ai është përballur me tre persona, shqiptarë në moshë të re, të cilët, sikurse ai dëshmon, i kërkuan t’u tregojë se ku gjendej Bledari.
28-vjeçari tha se u detyrua jo vetëm t’u tregonte ku ai ndodhej por edhe t’i shoqëronte ata deri te kolibja pranë stanit të dhenve ku Bledari prej pak muajsh punonte si bari.
I riu dëshmoi se ato që ndodhën ishin të tmerrshme.
Ai tha se viktima mbante një sasi lënde narkotike dhe para nga trafiku i drogës që kryenin mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke shtuar se ajo që ndodhi ishte hakmarrje e vrasësve për drogën dhe paratë e padorëzuara.
Sipas dëshmisë, kur tre autorët u afruan tek Bledari, një prej tyre hapi zjarr duke e qëlluar me një plumb të vetëm në qafë. Autopsia vërteton këtë, duke detajuar se plumbi kishte depërtuar në mushkëri.
Më tej, autorët, sipas 28-vjeçarit, i prenë kokën të ndjerit dhe e morën atë me vete, duke deklaruar se do ta çonin në Shqipëri, nga ku sipas tij, edhe ishte dhënë porosia për vrasjen e të riut.
Një pyetje tjetër që mund të lindë pas kësaj dëshmie, është nëse autorët porositën apo jo 28-vjeçarin që të mbajë të fshehtë këtë ngjarje dhe prezencën e tij atje. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





