Transmetuar më 25-05-2016, 15:17

Tiranë, NOA.al – Pjesa e parë e ditës do të jetë në ndikimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta në të gjithë territorin e vendit. Më të larta temperaturat do të jenë në zonat e ulta.

Parashikohet që gjatë pasdites të ketë kalime vranësirash të lehta nëpër të gjithë vendin ku më të dukshme do të jenë në zonat malore përgjatë kufirit Lindor duke rrezikuar shira të izoluar, kryesisht në juglindje. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë gjatë natës dhe deri në mëngjesin e së premtes.

Sipas MeteoAlb, përsa i përket situatës termike, temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale të ditës. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 20 km/h nga drejtimi jugperëndimor, kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të jetë i ulët.

Europa

Kontinenti Evropian do të jetë në ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme në pjesën më të madhe të tij, për pasojë moti i qëndrueshëm do të jetë prezent. Konkretisht me kthjellime dhe temperatura të larta do të paraqitet moti për pellgun e Mesdheut, Evropën Jugperëndimore, vendet Skandinave si edhe vendet e Evropës Lindore.

Parashikohet që temperaturat më të larta të shënohen në gadishullin e Ballkanit si pasojë e qarkullimit të masave ajrore nga veriu i Afrikës. Ndërsa, vranësirat dhe shirat do të dominojnë zonën e Alpeve si dhe Gjermaninë lindore, ku shirat do të jenë të përkohshëm. Po ashtu, me rrebeshe shiu afat-shkurtër do të paraqitet moti për rajonin e Baltikut./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd