
Tiranë, 25 maj 2016, NOA.al- Partia Demokratike thotë se përgjimi i paligjshëm që ka bërë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është prova më e fortë se shteti dhe ligji kanë rënë, dhe se janë zëvendësuar me një organizëm mafioz e me kodin e tyre të veprimit.
Deputeti demokrat Luçiano Boçi, tha sot nga selia blu se të gjithë e kanë parë se si policia ndalon dhe përzë me dhunë nënën nga Shkodra që shet duhanin që ajo vetë ka mbjellë, sepse e konsideron informalitet, se si përfundoi në burg berberi që s’kishte kupon, apo si përndiqen e gjobiten tregtarët ambulantë.
Ndërkohë që siç tha ai, ministri Tahiri me lejen dhe dijeninë e plotë të Edi Ramës, kalon në doganë një pajisje përgjimi pa e regjistruar, pa e deklaruar, e përdor atë pajisje, përgjon kë dëshiron.
“E gjitha kjo, jo vetëm pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por kur skandali zbulohet, ai nuk pranon hetimin, e pengon atë dhe nuk dorëzon përgjuesin e paligjshëm. A mund të ketë informalitet më të madh se sa ky, që kryhet nga ministri i Brendshëm, nga Kryeministri. Kjo shkelje e rëndë e ligjit, në fakt e kapërcen informalitetin, dhe hedh në erë bazat e një shteti, standardet më minimale. Qeveria, Edi Rama, Saimir Tahiri, ende nuk përgjigjen, ku gjendet sot pajisja, kush e solli, nga u fut, pse nuk u regjistrua, kush e përdori, kush u përgjua dhe pse?”, u shpreh Boçi.
Ai e cilësoi si një shqetësim të madh publik, kulmin e paligjshmërisë, që siç tha ai ka autorë, ka përgjegjës, dhe prokuroria lypset me shpejtësi të bëjë drejtësi.
Boçi deklaroi se Partia Demokratike nuk e konsideron përgjimin e paligjshëm të krerëve të institucioneve, të politikanëve, të opozitës, të përfaqësuesve të medias, si një çështje të sajën, por thotë se është një zhvillim tronditës që kërkon reagimin e qytetarëve, e shoqërisë civile, e universiteteve, të medias.
“Një klan mafioz në pushtet si ky i Ramës këtë dëshiron, heshtjen, mos-reagimin. Por ky zullum nuk mund të kapërdihet. Të gjithë duhet të bashkohemi e të ngremë zërin, që ky antishtet të ndalohet, që dhunime të tilla të Kushtetutës, të Sigurisë Kombëtare, të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut të mos ndodhin më”, deklaroi në mbyllje Luçiano Boçi./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





