Transmetuar më 24-05-2016, 17:20

Tiranë, 24 maj 2016, NOA.al – Gjyqtari Arjan Qafa ka dhënë dorëheqjen nga çështja gjyqësore e lejes së kompleksit të pallateve tek Diga e Liqenit. Kjo dorëheqje është pranuar nga gjykata.

Kërkesa për përjashtimin e këtij gjyqtari nga çështja në fjalë është bërë nga Bashkia Tiranë, sipas të cilës Qafa ka konflikt të pastër interesi me kompaninë që do të ndërtojë kompleksin e pallateve.

Bashkia e Tiranës dorëzoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Arjan Qafa, për konflikt të pastër interesi lidhur me gjykimin e çështjes së kompleksit të 5 pallateve 17 katëshe te Diga e Liqenit Artificial.

Prej kohësh, Bashkia e Tiranës ka denoncuar dhe argumentuar para publikut faktet, që sipas tyre vërtetonin lidhjen e ngushtë të këtij gjyqtari me kompaninë “Gener 2” dhe se pikërisht për këtë arsye, gjyqi në fjalë është i montuar.

“Është fakt se gjykatësi Arjan Qafa është në konflikt të pastër interesi, pasi më datë 11 mars 2010  ka lidhur një kontratë porosi për shtëpi dhe garazh me kompaninë ‘Gener 2’. Është fakt se në 31 mars 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) e ka kallëzuar z. Qafa në prokurori për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Këto dy prova të pakundërshtueshme janë më se të mjaftueshme që, së pari, gjyqtari në fjalë të përjashtohet menjëherë nga trupi gjykues i çështjes, dhe së dyti, Prokuroria e Përgjithshme të nisë një hetim të hollësishëm për ndjekje penale ndaj tij”, njoftoi Bashkia./b.l/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd