Transmetuar më 24-05-2016, 16:27

Tiranë, 24 maj 2016, NOA.al – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi rimarrjen në pyetje të 21-vjeçares A.A, vajza e cila denoncoi ish-kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë Shukri Xhelili. E reja është pyetur në prani të nënës së saj dhe gjatë gjithë kohës ka qenë e shqetësuar dhe e tronditur.

Sipas dëshmisë së dhënë nga vajza para hetuesve të prokurorisë, ajo ka nisur filmimin me celular të dy takimeve me Shukri Xhelilin pasi ai insistonte duke treguar interes dhe duke e ngacmuar personalisht.

Vendimin për realizimin e videos në hotel dhe publikimin e saj vajza ka thënë se e ka marrë pasi filloi punë në varësi të Shukri Xhelilit, për shkak se ky i fundit për ditë me radhë nuk e la të qetë por i kërkoi në mënyrë ngulmuese të takoheshin.

21-vjeçarja mësohet se i ka thënë hetuesve se gjithçka e kishte bërë me vetëdije, për ta diskredituar ish-kreun e Bashkisë, pasi prej muajsh ai e bezdiste me telefon dhe nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, duke i kërkuar takim.

Sipas prokurorisë rimarrja në pyetje e vajzës është bërë për ti dhënë vlerë procedurale dëshmisë së saj si provë penale dhe për të sqaruar disa momente të ngjarjes që kishin mbetur të paqarta.

Ish-kryebashkiaku Shukri Xhelili i kërkon gjykatës ta lirojë nga paraburgimi. Përmes apelit të dorëzuar nga avokati mbrojtës, Xhelili kërkon prishjen e masës “arrest me burg” të shpallur nga Shkalla e Parë, me arsyetimin se dyshimet e organit të akuzës janë të pabazuara.

Ndërkohë nuk është marrë ende në pyetje ish-kryebashkiaku, i cili mbahet nën “arrest me burg” për dyshimet se ka kryer korrupsion pasiv duke kërkuar favore, një vepër e cila me ndryshimet në kod hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda./b.l/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd