
Tiranë, 23 maj 2016, NOA.al- Partia Demokratike thotë se qytetarët e Krujës kërkojnë largimin e menjëhershëm të kryetarit të Bashkisë, Artur Bushi, jo vetëm për të shkuarën kriminale, por dhe për fshehjen e të dhënave.
Sekretari i aksionit qytetar në PD, Ervin Salianji tha sot nga selia blu se me gjithë shqipen problematike shumë larg asaj që duhet të ketë një zyrtar dhe një kryetar bashkie, Bushi ka reaguar pas kërkesës së qytetarëve të Krujës që ai të largohet, por sërish duke mohuar dhe duke fshehur të dhënat e të kaluarës.
“Pyetjet për Bushin e Edi Ramës, ishin dhe janë të thjeshta: A e keni përdorur emrin Kastriot Cakoni? A jeni dënuar, hetuar dhe arrestuar në Itali për trafik prostitucioni, trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike me këtë identitet, me emrin Kastriot Cakoni? Kryetari i Ramës në Bashkinë Krujë i shmanget pyetjes, por kjo është fshehje e të dhënave, është vepër penale që çon në mbarimin e mandatit të tij dhe në ndjekje të mëtejshme”, u shpreh Salianji.
Në emër të PD, ai i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë punën për verifikimin e këtij rasti dhe rasteve të tjera, si Elvis Roshi i Kavajës apo Artur Bardhi i Kurbinit, të mosdeklarimit, ose deklarimit të rremë.
Salianji deklaroi se dekriminalizimi duhet dhe do të funksionojë dhe se askush nuk do të mund ta pengojë atë, pasi zyrat do të çlirohen nga krimi, dhe pushteti do u kthehet qytetarëve./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





