
Tiranë, 23 maj 2016, NOA.al- “Qytetarët e Fierit kanë denoncuar uljen dhe ngritjen e avionëve të vegjël në plazhin e Semanit dhe ndërkohë që kjo ndodhte, policia me forca të armatosura kishte bllokuar rrugët për të mbajtur larg dëshmitarët”.
Është kjo deklarata e bërë sot nga Kryesia e Kuvendit, nga demokrati Flamur Noka, i cili tha se denoncimi është bërë me foto dhe të gjitha dëshmitë janë, duke thënë se bëhet fjalë për avionë tipikë të transportit të drogës.
Në cilësinë e nënkryetarit të komisionit të Sigurisë Kombëtare, ai tha se edhe më të besueshme e ka bërë këtë ngjarje policia, e cila “paska reaguar e paska thënë se trupat e armatosura gjenden aty për të mbrojtur pyjet”.
Sipas Nokës, e vërteta është se policia gjendet aty me urdhër të Saimir Tahirit për të mbrojtur trafikun e drogës dhe se shefat e policisë aty, janë në shërbim të “habilajve” dhe kanë hisen e tyre në biznesin kriminal.
Noka tha se Fieri, ashtu si gjithë Shqipëria është mbuluar nga droga dhe avionët e vegjël që vijnë e ngarkohen janë pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Është kjo arsyeja, pse Edi Rama prej 34 ditësh nuk përgjigjet pas letrës zyrtare që unë i kam dërguar në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. I kam kërkuar që të fotografojë urgjentisht gjithë territorin, përmes avionëve italianë, sipas marrëveshjes mes dy vendeve, dhe të bëjë publike rezultatet e këtij monitorimi. Siç e shihni, avionët e monitorimit nuk vijnë, por vejnë e vinë avionët e trafikut të drogës”, u shpreh Noka.
Ai tha se Rama nuk përgjigjet dhe nuk ka ndërmend ta fotografojë territorin, pasi e di mirë se çdo kodër e çdo pëllëmbë e vendit është mbjellë me kanabis dhe se e di mirë dhe se kush e ka mbjellë, kush e kontrollon dhe ku ndahen përfitimet.
Noka deklaroi se Shqipëria është në vendin e parë të prodhimit dhe trafikimit të drogës në raportin e Bashkimit Europian, duke shtuar se prandaj nervozohet Kryeministri Rama kur gazetarja e “euronews” e pyet për trafikun e drogës e për trafikantët.
Mbulimi i vendit me kanabis, bandat, trupat e armatosura në ara që ruajnë, avionët transportues, shefat e policisë që japin garanci e siguri, për Flamur Nokën janë e gjitha pjesë e biznesit qeveritar të drogës.
Ai e cilësoi si një biznes që sjell fitime marramendësi për Ramën, Tahirin e bandat e tyre, por që rrënon vendin, duke deklaruar se droga duhet shkulur, por duhen shkulur së pari rrënjët e saj në qeveri./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





