Transmetuar më 23-05-2016, 10:27

Tiranë, 23 maj 2016, NOA.al- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se janë të shumtë ata që nuk e duan ligjin dhe nuk duan që Policia e Shtetit të ketë rezultate.

Duke folur sot nga Akademia e Sigurisë, në ceremoninë e fillimit të shkollës bazë të policisë për patrullë të përgjithshme, ai tha se u konsolidua arsimi bazë, pasi krimi mbi të gjitha luftohet me dije e me mendje, përpara se të luftohet me forcë e me muskuj.

“Ligji ka shumë armiq në këtë vend. E drejta ka shumë armiq në shoqëri e jo vetëm. Mjafton t’i hedhësh një sy të përditshmes për të kuptuar sa janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të sigurt. Kush janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të drejtë. Kush janë ata që nuk duan që Policia e Shtetit të bëjë rezultat. Kush janë ata që nuk e duan fare Policinë e Shtetit", deklaroi ministri.

Ai u tha policive të ardhshëm, se rruga për të mësuar e për të kaluar me sukses kursin dhe mbi të gjitha, për t’i shërbyer qytetarëve duke luftuar me të gjithë ata që shkelin ligjin dhe të gjithë ata të tjerët që flasin, apo akoma më keq nuk flasin, tha ministri por ndihmojnë që ligji të shkelet dhe Shqipëria të jetë më e padrejtë dhe më e pasigurt.

Tahiri u shpreh se policët e ardhshëm duhet ta dinë se do jenë të sulmuar dhe që do jenë shënjestra e gjithë atyre që nuk duan ligjin.

Por më e rëndësishmja siç tha ai, është që të jenë të gjithë një skuadër, një ekip dhe të fitojnë betejën ndaj gjithë atyre që nuk duan ligjin.

“Beteja jonë më e madhe nuk është me injorancën, nuk është me paaftësinë, nuk është me korrupsionin, nuk është me rezistencën që bënë paligjshmëria apo kriminaliteti. Beteja jonë më e madhe është me të shkuarën e cila ë të gjitha këto përpiqet të na i nxjerrë para rruge për të penguar reformimin e Policisë së Shtetit dhe për të penguar secilin prej jush t’i shërbejë siç duhet qytetarëve, tha Tahiri.

Sipas tij, policia ka mision që t’u shërbejë qytetarëve për të fituar besimin e tyre, ndaj tha ministri, është detyrim që të bëhet gjithçka për të kapërcyet çdo pengesë, që bashkë me qytetarët vendi të bëhet më i sigurtë dhe më i drejtë.

Tahiri deklaroi se vendi meriton të ketë policinë e gjeneratës tjetër, të gjeneratës së të ardhmes./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd