Transmetuar më 22-05-2016, 20:18

Foto arkivi

Prostitucioni, ashtu si shumëkush e di, është i paligjshëm në Itali. Megjithatë, kjo nuk ka penguar shumë vajza italiane, shqiptare dhe të kombësive të tjera të shesin trupin në rrugët e këtij vendi.

Gazeta italiane “il Resto del Carlino” sjell përmes një reportazhi, histori të shumë prej vajzave që kanë zgjedhur të kryejnë këtë “profesion” për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetesën.

Mes tyre ndodhen dy shqiptare, të cilat rrëfejnë për vitet e kaluara në rrugët e Italisë, duke shitur trupin në këmbim të parave. Noa.al sjell historinë e Erikës dhe Kamilës, të dyja shqiptare që jetojnë në Itali. Është e qartë se vajzat kanë përdorur pseudonime për të mos u zbardhur identiteti i tyre.

Erika është 28 vjeçe dhe ka përfunduar në Itali pasi është mashtruar nga parukierja e saj e besuar. Kjo e fundit, e cila ndodhet në Itali prej dy vjetësh, i ka ofruar mikeshës së saj Erikës një vend pune, duke i thënë se bëhej fjalë për një punë të ndershme.

“Por, sapo mbërrita këtu, më nxorën në rrugë”, – rrëfen Erika. Muajin e parë ajo tregon se arriti të fitonte 3 mijë euro. E ndërsa gazetarja tenton t’i bëjë pyetje të tjera, një “kolege” e Erikës afrohet dhe i thotë të mos humbasë kohë, por të rikthehet në punë.

Shqiptarja tjetër është Kamila, 48-vjeçarja e cila ka 20 vjet që bën këtë punë në Itali. Ndryshe nga shumë vajza të tjera që shesin trupin për mbijetesë, Kamila gjatë javës ka një punë stabël e të rregullt. Por, zgjedhja e saj është që në fundjavë të “marrë rolin” e prostitutës për të pasur disa të holla më shumë. I shoqi i Kamilës ka vdekur në një aksident, dhe ajo përballon e vetme shpenzimet, përfshirë universitetin e së bijës.

Ndërkohë që vajzat flisnin me gazetaren, një i ri me motoçikletë kalon aty pranë dhe u bërtet “A po punoni”? /b.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd