
Tiranë, 22 maj 2016, NOA.al – Me përfundimin e procesit të numërimit në të gjithë Shqipërinë, Shpëtim Idrizi është rizgjedhur kryetar i Partisë, Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ai mori 72.4% të votave nga 27.6% që mori kandidati tjetër Halil Hyseni. Menjëherë pas mbylljes përfundimtare të procesit të numërimit, Idrizi u shpreh para anëtarëve të PDIU-së, se bashkimi kombëtar dhe zgjidhje e çështjes çame do të jetë busulla e tij.
“Unë zotohem solemnisht përpara anëtarësisë së re dhe asaj të vjetër, para gjithë brezave të anëtarëve dhe simpatizantëve të PDIU-së, para dhëndurëve të Çamërisë, si i quaj unë të moshuarit që kanë ende shpresë të shohin vatrat e tyre. Se bashkimi kombëtar do të jetë busulla jonë politike e pandryshueshme, se zgjidhja e Çështjes Çame do të jetë objektivi ynë i palëkundur, derisa të kemi frymë, se amanetin nuk e tret dheu”, tha Idrizi pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Gjithashtu Idrizi u shpreh se PDIU është një familje e vërtetë politike, me prani në të gjithë vendin.
“Dita e djeshme ishte një ditë e veçante për mua. Nuk është fitorja që më gëzon, madje as gara. Nuk është rezultati që më mahnit e as pjesëmarrja mbresëlënëse. Dje, isha dëshmitar i një vullneti të përbashkët, një dëshire për t’u angazhuar, një qëllimi të patundur për të çuar përpara nismën tonë disavjeçare. Dje, vërtetuam te kushdo se ne jemi një familje e vërtetë politike, një familje e madhe, me prani në të gjithë vendin, me qytetari e maturi, pa fëmijë plangprishës e me solidaritet. Kjo familje, familja jonë, më besoi të jem shërbëtori i parë, për ta drejtuar në katër vitet e ardhshme”, tha Idrizi.
Në total për kryetarë të PDIU-së votuan 19634, ose 81.5 për qind të anëtarëve. Rezultatet përfundimtare për kryetar të PDIU-së janë si vijon:
Vota të pavlefshme: 148
Vota të vlefshme: 19454
32 vota janë hedhur në kuti të gabuar
Kandidati Halil Hyseni, 5367 vota, ose 27.6 për qind të votave të vlefshme
Kandidati Shpëtim Idrizi, 14087 vota, ose 72.4 për qind të votave të vlefshme./b.l/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





