Transmetuar më 22-05-2016, 13:10

Tiranë, 22 maj 2016, NOA.al – Kur kanë kaluar 10 ditë nga arratisja e Kelmend Balilit, i akuzuar si “Escobari shqiptar” dhe që kërkohet nga autoritetet greke, Partia Demokratike vazhdon denoncimet për këtë çështje. Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit për Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj akuzoi Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Tahiri për lidhje me Klemend Balilin dhe se e ndihmuan që të arratisej jashtë Shqipërisë.

“Sot u bënë 10 ditë nga arratisja e drejtorit rajonal të Edi Ramës, Klement Balili, i akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Eskobari i Ballkanit, arriti ti shpëtonte aksionit të organizuar nga disa shtete të Europës përfshirë dhe DEA-n amerikane. 10 ditët e arratisjes së tij, janë 10 ditë që na kujtojnë lidhjen e Balilit me Ramën dhe Tahirin. Janë 10 ditë që dëshmojnë sabotimin dhe tradhtinë që Tahiri u bëri policisë greke, belge e DEA-s amerikane, duke i dhënë Balilit mundësi për ti shpëtuar drejtësisë”, u shpreh Alibeaj.

Më tej Alibeaj kërkoi largimin nga detyra të ministrit Tahiri, që sipas tij, çdo ditë qëndrimi në pushtet, është një ditë më shumë në pushtet e krimit.

Policitë e vendeve të BE dhe DEA e dinin mirë se Balili kishte lidhje të forta me qeverinë dhe ministrin tonë të brendshëm. Megjithatë, në vend që të mbikëqyrte Balilajn, Tahiri mesa duket mbikëqyrte aksionin ndërkombëtar dhe kështu kur partnerët iu afruan trafikantit, Tahiri i dha ndihmën e nevojshme për tu arratisur. Çdo ditë në arrati e Balilit, është një akuzë më shumë për Tahirin e Ramën. Çdo ditë në detyrë e Tahirit, është një ditë më shumë në pushtet e krimit, e bandave e trafikantëve të drogës”, tha Alibeaj./b.l/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd