
Durrës, 22 maj 2016, NOA.al – Një person është arrestuar në flagrancë nga blutë e Durrësit si i dyshuar për aksidentin e ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën urbane kryesore Plepa-Mbikalimi i Shkozetit ku për pasojë dy persona humbën jetën dhe 4 të tjerë u plagosën.
Burime policore bëjnë të ditur se në pranga është vënë Adis Barzezi, 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se ka qenë edhe drejtuesi i mjetit. Gjithashtu gjatë testit të alkoolit rezultoi se ai kishte konsumuar alkool në masën 0.53mg / l.
Në vijim të hetimeve, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj Hamza Islamaj 49 vjeç, banues në Tiranë, administrator i subjektit kontraktues për mirëmbajtjen e aksit rrugor ku ndodhi aksidenti.
Subjekti kontraktues nuk ka zbatuar me përpikmëri kushtet teknike dhe nuk ka zëvendësuar barrierat mbrojtëse të sigurisë, të cilat kanë qenë të dëmtuara.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm një makinë tip Peugeot me targa TR 4863 R, ku udhëtonin gjashtë persona, ka dalë nga rruga në Unazën e Shkozetit. Për pasojë kanë gjetur vdekjen dy persona, njëri në vendin e ngjarjes dhe tjetri në spital.
Viktimat janë Ardian Sallaku 37 vjeç dhe Vito Mehmeti 25 vjeç, me banim në Shkozet. Të dëmtuarit B.D. 29 vjeç, banues në Shkozet, pasagjer; O.Sh. 30 vjeç, banues në Shkozet, pasagjer; K.K. 20 vjeç, banues në Shkozet, pasagjer; Adis Barzezi 28 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet drejtuesi i mjetit janë dërguar në spitalin e Durrësit, ku tre persona janë jashtë rrezikut dhe një tjetër në gjendje më serioze për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt ”, në ngarkim të Adis Barzezi dhe “Shpërdorimi i detyrës” në ngarkim të Hamza Islamaj./b.l/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





