
Divjakë, 22 maj 2016, NOA.al – I dashuri virtual e përdhunon ditën e parë të takimit. Viktimë e kësaj ngjarjeje është një vajzë e mitur 15-vjeçare, e cila pasi ka mbaruar orën e gjashtë të mësimit në shkollën “Miti Zoi Zaka”, ka vendosur të takohet me 31vjeçarin me iniciale Sh.P., nga fshati Xeng i Divjakës.
Ata ishin njohur nëpërmjet “Facebook”-ut dhe flisnin prej disa kohësh më njëri-tjetrin. Kërkesa e të riut për ta takuar vajzën, nxënëse në klasën e tetë, e ka joshur këtë të fundit.
Ngjarja është zbuluar vetëm në ditët e fundit, kur e mitura, në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike, ka humbur përqendrimin në mësime dhe gjendja e saj ka shkuar deri në atë pikë sa asaj i ka rënë të fikët disa herë në klasë, siç raporton Panorama.
Sipas shefit të Policisë së Divjakës, Elvis Peza, vajza ka treguar se pasi ka mbaruar mësimin, orën e 6-të, në datën 5 maj e kishte lënë të takohej me shtetasin SH.P., të cilin e kishte njohur në “Facebook”.
Pasi kishin komunikuar disa herë, e mitura ka vendosur ta njohë nga afër dhe është larguar fshehtazi për ta takuar në zonën e plazhit të Divjakës, disa km larg shtëpisë së saj. Ajo ka deklaruar se ka shkuar me makinën e tij deri atje, ku fillimisht kanë biseduar e folur për njëri-tjetrin, si dhe për vazhdimësinë e lidhjes.
Në një moment djali e ka puthur dhe më pas i ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie, por ajo nuk ka pranuar. Ai ka përdorur dhunën për të kryer marrëdhënie dhe më pas e ka kërcënuar të mos tregojë, në të kundërt do ta merrte vesh e gjithë shkolla. Në këto kushte, ajo është detyruar ta mbante të fshehur dy javë ngjarjen.
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





