





Tiranë, 21 maj 2016, NOA.al- Një operacioni i policisë së kryeqytetit, asaj të Korçës dhe Policisë së Shtetit, ka zbuluar një arsenal armësh dhe municionesh të rënda, ndërsa janë vënë në pranga dy persona, të dyshuar për trafik armësh.
Në kuadër të operacioni të koduar “Moglica” u bë arrestimi i Adil Mersinllarit, 42 vjeç dhe Bledar Muçollari, 32 vjeç, lindur dhe banues në Korçë.
Nga hetimet disa mujore është arritur të dokumentohet përmes teknikave speciale hetimore, veprimtaria kriminale e e të dyshuarve, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale armë të rënda, lëndë plasëse dhe municione luftarake.
Gjate këtij operacioni është ushtruar kontroll në 24 banesa të dyshuarish dhe janë shoqëruar në drejtoritë e policisë së Tiranës dhe Korçës mbi 16 persona.
Aktualisht vijojnë hetimet për persona të tjerë të dyshuar, lidhje të të arrestuarve që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, policia po heton mënyrën e gjetjes dhe destinacionin final për armatimin e sekuestruar.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 57 copë kallëpe tritoli të masës 400 gr për çdo kallëp; 103 copë granata sulmuese “defensive ” me rreze shpërthyese rreth 200 metra; 100 copë ndezës granatash; një granatë-hedhës, 23 predha granathedhësi, ku në të gjitha predhat gjenden të dhëna të markerimit dhe janë prodhim kinez.
Gjithashtu janë sekuestruar 20 kuti në formë tubi të dyshuara si eksplozivë me një fuqi shumë të fortë shpërthyese; dy kaseta metalike, dhe një kuti metalike për mbajtje fishekësh model 56, të kalibrit 7.62 mm. Në total sasia e fishekëve 1640 copë.
Armatime të tjera të sekuestruara janë një shtrat tre këmbësh për mitraloz të rëndë; 216 copë krehra mbajtës fishekësh model 56, kalibër 7.62 mm, të vajisur dhe me të gjitha pjesët dhe aksesorët e tyre; tre murtaja me trekëmbësha dhe pjatat kupore; dy mitralozë të rëndë së bashku me trekëmbëshat mbajtës; 20 pjesë mitralozëzh të rëndë të çmontuar; një shirit metalik me 250 copë fishekë mitralozi të rëndë model 53 si dhe një automjet tip Opel Omega me targa KO 6690 B dhe katër aparate celularë të markave të ndryshme.
Lidhur me këtë operacion materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje i armëve luftarake dhe i municioneve” dhe “Trafikim i armëve dhe i municioneve”./a.y/noa.al
Paloka: Rama mundohet të fshehë trafikantët, i mbron ata
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





