
Kryeministri Edi Rama ftoi sonte publikisht ata që protestojnë kundër qeverisë që ai drejton, që të futen në selinë e tij dhe të protestojnë në hapësirën e Qendrës për Hapje e Dialog në Kryeministri (COD).
Deklarata e z.Rama u bë gjatë hapjes së sezonit të ri në COD. “E vërteta është se kjo hapësirë është krijuar për të qenë në dispozicion të publikut, të njerëzve të artit, të kulturës dhe të librit, për të qenë në dispozicion të njerëzve të debatit dhe të atyre që duan të protestojnë kundër qeverisë”, – deklaroi Rama dhe shtoi: “Mbase është e vështirë për njerëzit ta besojnë se kjo është e mundur, por duke qenë se herë pas herë përpara kryeministrisë ka njerëz që protestojnë, i ftoj që, nëse dëshirojnë, kur organizojnë një protestë, të rezervojnë këtë hapësirë këtu. Kuptohet, hapësira nuk është për të sjellë të gjithë protestuesit brenda, por një përfaqësi, e cila të shfrytëzojë kohën televizive që mund ta marrë falas nga godina e kryeministrisë dhe nëse dëshiron të rezervojë edhe një ministër apo një përfaqësues të qeverisë, për të shprehur konkretisht arsyet e protestës dhe për të dëgjuar nga ana jonë argumentet tona”.
Më tej, z.Rama ilustroi dhe me shembuj këtë ftesë: “E them këtë me shumë sinqeritet dhe më erdhi mirë, në fakt, që kjo ndodhi spontanisht dhe një vajzë që me pasion jeton kundërshtinë ndaj qeverisë dhe meje mori këtu një çmim, që nuk e mori nga qeveria, kuptohet. Nuk shkojmë deri në hipokrizinë që t’i japim çmime atyre që nuk na duan. Por sigurisht jemi të detyruar të ndajmë me ta hapësirën”. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





