Transmetuar më 20-05-2016, 17:08

Pesë deputetë të majtë dhe nëntë të djathtë janë me precedentë penalë në Parlament. Kjo shifër ka dalë pas publikimit të formularëve të vetëdeklarimeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. NOA publikoi sot listën e plotë të vetëdeklarimeve që e gjeni edhe këtu.

Dekriminalizimi, NOA zbardh vetëdeklarimet e zyrtarëve të lartë

Arben Ristani i Partisë Demokratike është dënuar si gjykatës në vitin 1994 me 5 muaj burg dhe një vit me kusht për akuzën “Dhënie e vendimit të Padrejtë”. Ristani ka sqaruar në formuluarin e tij se vepra penale për të cilën u akuzua është amnistuar pas vendimit të shkallës së parë dhe se po kjo vepër penale është konsideruar antikushtetues në vitin 2008. Ai ka qenë i ndaluar 48 orë siaps vetëdeklarimit.

Alban Zeneli i Partisë Demokratike ka deklaruar dy dënime. Në vitin 1992, ai është dënuar me 6 muaj burg në Kukës për akuzën “Shkelje e Rregullave të Qarkullimit Rrugor” ndërsa në vitin 1996 është dënuar me 30 mijë lekë gjobë për akuzën “kundërshtim i punonjësit të policisë dhe prishje të qetësisë publike”.

Deputeti i Partisë Demokratike Mhill Fufi është zyrtarisht i padënuar sipas vetëdeklarimit të tij, por ka qenë tre herë i pandehur, dy herë për favorizim prostitucioni dhe një herë për pjesëmarrje në miting të paligjshëm. Hetimet ndaj tij për favorizim prostitucioni i përkasin viteve 2000 dhe 2001 dhe janë mbyllur me vendim për pushim hetimesh nga prokuroria e Kurbinit dhe ajo e Tiranës. Në të njëjtën mënyrë është mbyllur edhe çështja e pjesëmarrjes në ngjarjet e dhunshme të 14 shtatorit 1998 në Tiranë.

Deputeti Edi Paloka rezulton i arrestuar për 10 ditë për protesta të jashtëligjshme. Ai është arrestuar më 30 nëntor të vitit 2000.

Gjithashtu, Paloka është dënuar edhe për shpifje me gjobë në vitin 2015.

Fatmir Mediu, ka deklaruar se ka qenë nën hetim në Milano, Itali më 1998 për “Pengim i forcave të policisë në kryerjen e detyrës”, por ka marrë vendim pafajësie.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Përparim Spahiu rezulton gjithashtu i padënuar, por ai ka qenë nën hetim në vitin 2009 nën akuzën “Kundërshtim të Punonjësit të Policisë”.

Deputeti i LSI-së Shkëlqim Selami rezulton se ka qenë në hetim nga gjykata e Brindizit pasi dyshohej për një vepër penale të kryer në 2007, por është shpallur i pafajshëm me vendim të formës së prerë po në këtë vit.

Armando Prenga i Partisë Socialiste i përjashtuar nga kjo parti vitin e kaluar pasi u akuzua se hapi zjarr dhe plagosi disa qytetarë, ka deklaruar vetëm problemet aktuale me drejtësinë, tre akuza, për armëmbajtje pa leje, plagosje e lehtë dhe kanosje.

Parid Cara nga Partia Socialiste, ka një dënim administrativ me gjobë nga një gjykatë në Itali për shkelje të Kodit Rrugor.

Pjerin Ndreu gjithashtu nga Partia Socialiste ka deklaruar se ka qenë nën hetim në vitin 2004 në Tiranë për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike, por ka dalë i pafajshëm në gjykatë.

Tom Doshi, i zgjedhur nga Partia Socialiste dhe aktualisht deputet i pavarur pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i kësaj partie vitin e kaluar, ka deklaruar se është dënuar me 1 vit burg nga një gjykatë ushtarake shqiptare në vitin 1990 për akuzën “Shkelje e padenjë në shoqëri”./noa.al/

Të gjithë formularët e vetëdeklarimit të plotësuar nga ministrat, deputetët, kryebashkiakët dhe këshilltarët e bashkive në Shqipëri

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd