
Tiranë, 20 maj 2016, NOA.al- Kryeministri Edi Rama thotë se sipërmarrësit shikojnë si pengesë, mungesën e krahut të kualifikuar të punës, pastaj burokracitë, gjykatat dhe një pjesë fare e vogël shkon për barrën e taksave.
Kjo deklaratë e kreut të qeverisë u bë sot në çelje të panairit “Unë zgjedh arsimin profesional”, ku deklaroi se nëse rruga e arsimit profesional do ishte çelur më parë, sot çështja e punësimit të të rinjve do të ishte ndryshe.
Kryeministri thotë se 55%, e punëkërkuesve të regjistruar nuk kanë asnjë profesion, ose janë me arsim 9-vjeçar.
Ai deklaron se në të gjithë aksin nga Tirana në Durrës, çdo sipërmarrje ka nevojë për të punësuar të tjerë, nga një deri në 50 dhe 100 dhe nuk ja del dot, sepse kërkon punonjës të kualifikuar dhe punonjësit e kualifikuar mungojnë.
Sipas tij, për 20 e kusur vite në Shqipëri nuk u mendua për të kualifikuar krahun e punës dhe për të ndërtuar një shtresë të tërë profesionistësh.
“Morëm modelin gjerman, jo se jemi të dytët pas Gjermanisë, siç na thuhej deri para ca vitesh nga Kryeministri dhe qeveria, por sepse modeli gjerman është modeli që kanë adoptuar me sukses dhe shumë vende të tjera, për të nxitur punësimin përmes arsimit profesional, ku 60% e kohës kalohet në klasë dhe 40% në sipërmarrje. Papunësia në vendet e BE është në proporcion me zhvillimin e arsimit profesional”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se vendet që kanë sistem arsimor profesional më të zhvilluar, kanë nivel papunësie më të ulët dhe se e vetmja zgjidhje që të përputhet kërkesa dhe oferta në tregun e punës, është të ketë një sistem të shëndetshëm arsimi profesional.
Rama tha se kush mbaron arsim profesional, statistikisht ka dyfishin e shanseve për t’u punësuar, krahasuar me ata që zhvillojnë arsimin e lartë.
Ai cilësoi si problem të madh në treg, mungesën e punonjësve të kualifikuar, duke nënvizuar se ata që sot janë 30-40 vjeç janë një gjeneratë e djegur, pasi nuk kishin mundësi për arsim profesional siç kanë sot 15- vjetarët. Arsimin profesional, kreu i qeverisë e cilësoi edhe si një mundësi shumë e mirë për t’u vetëpunësuar.
Rama deklaroi për 20 e kusur vite u stimulua dembelizmi, përmes diplomave që merreshin pa shkuar në shkollë dhe u lanë pas dore sipërmarrjet./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





