


Tiranë, 20 maj 2016, NOA.al- Për afro një orë e gjysmë, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi takoi sot aleatin qeverisës Ilir Meta.
Ndërkohë kreu i Kuvendit shoqërohej nga drejtuesi i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili. Dy drejtuesit e mazhorancës u larguan nga ambientet e vilës 30, pa dhënë asnjë prononcim për mediat.
Por në mbyllje të takimit, socialisti Gramoz Ruçi tha se ai vjen në vijim të tryezave periodike të koalicionit të mazhorancës, duke sqaruar se mungesa disa javore ndodhi për shkak të vizitave që Kryeministri dhe kreu i Kuvendit zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai bëri me dije se reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore ishin në fokus të takimit, ku tha se mazhoranca mbështet veprimtarinë e deritanishme të dy komisioneve parlamentare dhe i përshëndet në punën e tyre.
Ruçi tha se mazhoranca është e dakordësuar në të gjitha drejtimet për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore duke kërkuar të ecet sa më shpejtë.
“Mazhoranca i bën thirrje opozitës të fitojmë kohën e humbur veçanërisht për reformën në drejtësi me qëllim që dita e miratimit në parlament të jetë sa më shpejtë. Opozita është prezente në tryezën e komisionit të reformës, të gjitha opsionet janë në tryezën e diskutimit të komisionit”, u shpreh Ruçi.
Në vijim shtoi se tryeza e koalicionit funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se nuk ka debat.
I pyetur lidhur me mesazhin që deputeti Ben Blushi lexoi dje në Parlament, ku pretendoi se është kërcënuar nga kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, ai tha se nuk kishte denoncim dhe se ato ka vende përkatëse ku bëhen.
“Denoncimet ka vende se ku bëhen, unë nuk dëgjova kërcënimin, dëgjova një komunikim me sms mes dy të zgjedhurve, për një problem personal të tyre”, deklaroi Ruçi.
Nga ana e tij Petrit Vasili i LSI, deklaroi se nuk ka kohë për të humbur dhe se momentet janë të çmuara për të mbyllur sa më parë reforma në drejtësi.
“Qëndrimi i mazhorancës është të jemi aty që kjo reformë të mbyllet sa më parë. Së dyti të dëgjojmë pa paragjykime se çfarë thotë opozita dhe sigurisht të reflektojmë ato që ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it do të gjejnë me vend, pasi ata i kemi pranuar të gjithë së bashku si gjykuesit më të mirë”, deklaroi Vasili.
Ai kërkoi që të mos humbet më kohë tjetër as me takticizëm politik të opozitës dhe as me veprime të tjera, pasi produkti final që shqiptarët presin, është pikërisht miratimi i kësaj reforme.
Vasili shtoi se për reformën zgjedhore, rruga është më e shtruar, shumë më ndryshe, pasi siç tha ai ka një rrugë të shtruar nga OSBE- ODHIR, dhe në këtë rrugë duhet të ecë dhe opozita pa paragjykime./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





