
Pesë edukatore përfunduan në burg, në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë që do të zhvillohet në Gjykatën e Shkodrës për një skandal që kalon përmasat njerëzore në jetimoren e Shkodrës.
Rrahjet dhe dhuna psikologjike janë më të paktat që rrëfehen në dëshmitë e fëmijëve të mitur. Neglizhenca e tyre ka lejuar dhunime seksuale ndaj të miturave, çfarë në fakt jep sinjalet tronditëse për këto lloj institucionesh në Shqipëri.
Rast pas rasti duke u evidentuar, shteti shqiptar nuk po mundet dot të gjejë një mekanizëm frenimi për të ndalur përfundimisht këtë dhunë. Jashtë kontrolleve, të cilat vlejnë vetëm për evidencë, këto institucione janë kthyer të pasigurta, pavarësisht se punonjëset janë ndërruar shpesh. Por duket se kanë të njëjtin refleks; dhunën.
Skandali i radhës u zbulua nga institucioni i Avokatit të Popullit. Grup i tij i kontrollit ndodhej në Sarandë për të zbuluar një rast ku vajzat që mbushnin moshën dhe dilnin nga jetimorja binin pre e një rrjeti trafiku prostitucioni, ndërsa djemtë në trafik droge. Duke hetuar këtë rast, për të cilin duhen ende prova, mori dëshmi për një tjetër institucion, atë Shkodrës, nga një dëshmi e rastësishme.
Emisioni “Top Story” në Top Channel ka publikuar disa nga dëshmitë e fëmijëve:
Dëshmia 1
“…kam dijeni për dhunën fizike të ushtruar nga edukatorja ndaj një fëmije 9 vjeç. Kjo ngjarje e ndodhur në Janar 2016, në kohën kur fëmija ishte bërë synet dhe ishte akoma me plagë. ai erdhi dhe më takoi vetë në korridor dhe më tha se i ka rënë zysha me shkop të karriges tek plaga dhe ishte gjakosur.. Ky veprim ishte bërë tek një nga dhomat e mësimit, në prani të fëmijëve të tjerë të mitur. Të nesërmen për këtë veprim i kam thënë drejtorit në zyrën e tij dhe ai më tha se e ka për të mirën e vet. Në fillim të vitit 2015, një fëmijë tjetër i kësaj shtëpie, është larguar nga shtëpia dhe kur erdhi të nesërmen më tha duke qarë se, djali i madh i drejtoreshës e kishte rrahur. Veç sa sipër, kam vënë re se zyshat, u kërkojnë fëmijëve të vegjël 10-12 vjeç, për të pastruar korridoret dhe banjat, si djemve ashtu edhe vajzave. Gjithashtu kam për të thënë se psikologja sjell shpesh në Shtëpinë e Fëmijës djalin e saj 14 vjeçar, i cili sillet keq me fëmijët duke i goditur dhe me shpulla”.
Dëshmia 2
“Kur jam kthyer nga Tirana, ku kam qenë për vizitë pranë familjes time, shoku im që është 13 vjeç më tha se gjatë një ekskursioni në Razëm kishte parë një djalë që ngacmonte një 12 vjeçare”.
Dëshmia 3
“Kam dijeni se para dy vjetëve, mund të ketë qenë muaj vere, kur një ditë shoku im më tregoi një video në celularin e tij ku zysha godiste një nxënës 13 vjeç tek klasa e mësimit, me shkop në trup dhe ai qante e bërtiste”.
Dëshmia 4
Në Razëm kemi shkuar më 1 Qershor 2015, kur kam parë një djalë që ngacmonte një vajze 12 vjeç, duke qenë të zhveshur nga mesi e poshtë, të dy. Kjo ka ndodhur tek një shtëpi e vjetër dhe unë i pashë pasi i ndoqa nga prapa”.
Dëshmia 5
“..kur isha 8-9 vjeç isha i sëmurë dhe nuk bëja detyrat dhe zysha me nxori nga klasa. Mandej me thirri tek një klasë tjetër (quhet kompani).Kishte të fshehur prapa një shkop, më kapi për dore dhe më çoi tek dushet, e mbylli derën dhe më gjuajti me shkop. Pasi më ra me shkop në trup, më mori me të mirë dhe më tha hajde mos qaj”./noa.al/
Skandali në jetimore, fëmijët janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht
Detaje, vajzat e jetimores janë abuzuar gjatë kohës së marrë për bamirësi
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





