Transmetuar më 19-05-2016, 22:01

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka thënë se "nëse ka kërcënim ndaj deputetit të partisë së tij, Ben Blushi, nga kreu i bashkisë së Kavajës, atëherë do të nis çështje penale".

I ftuar në emisionin “Opinion” për të folur mbi zhvillimet e fundit që shqetësojnë rendin në vend, Tahiri tha se nëse ka kërcënim në mesazhin e Elvis Rroshit, atëherë do të nisë çështje penale ndaj kryebashkiakut.

Numri një i ministrisë së Brendshme tha se ai nuk e di përmbajtjen e mesazhit të Roshit, pasi Blushi nuk ia ka vënë në dispozicion. Deputeti Ben Blushi, në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ka akuzuar sërish kryeministrin Rama për futjen e elementëve të inkriminuar në politikë.

Duke iu drejtuar ish-mikut të tij, Blushi ka lexuar edhe një mesazh që, siç tha ai, tregon se kryetari i Bashkisë së Kavajës, ndryshe prezantohet dhe ndryshe e prezantojnë.

“Nuk e kuptoj se si Roshi thotë se nuk më mbahet mend përse jam arrestuar në Gjermani. Më ka ardhur një mesazh. ‘O Blush, jam Elvis Roshi. Nuk kam bërë asnjë krim’. I drejtohem Ramës, si e ka emrin ky Ervin, siç thua ti? Apo Elvis, siç thotë ai?”, ka thënë Blushi, i cili ka vijuar me pyetjet e tij. “Pse po ia nxin faqen këtij vendi? Ku e ke këtë aftësi për të grumbulluar kaq shumë të paaftë? Ku e gjen ky këtë guxim Roshi të më shkruajë mua? Është me ty”, ka thënë Blushi./f.g/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd