


Tiranë, 19 maj 2016, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti sot në takim delegacionin e Parlamentit Europian, të kryesuar nga Elly Schlein, që ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në takimin e komitetit ndërparlamentar Shqipëri-BE.
Kreu i Shtetit u përcolli eurodeputetëve garancinë se Shqipëria e sheh procesin e integrimit në Bashkimin Europian si të vetmen alternativë të së ardhmes së saj, dhe në këtë kontekst vlerësoi mbështetjen e pakursyer që BE i ofron vendit tonë në këtë rrugëtim.
Nishani tha gjithashtu se është ky proces që përbën çelësin e zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë, dhe se vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’ia dalë mbanë. Duke ndarë vlerësimin se është përgjegjësi e palës shqiptare që të realizojë reforma thelbësore për shtet-ndërtimin ne vend, Presidenti Nishani vuri në dukje se fjalëkalimi i çdo reforme të suksesshme është vullneti.
Në përgjigje të interesimit të delegacionit të eurodeputetëve lidhur me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Kreu i Shtetit u shpreh se reforma në drejtësi dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë çështje prioritare në agjendën e vendit, duke përcjellë edhe shqetësimin e tij serioz për largimin masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së.
Duke u pajtuar me konstatimin se kultura politike mbetet ende një sfidë në vend, Presidenti Nishani inkurajoi të gjitha palët për të shënuar sukses në takimin e Komitetit Ndër-parlamentar dhe miratimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve që do të dalin prej tij./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





