Transmetuar më 19-05-2016, 13:16

Tiranë, 19 maj 2016, NOA.al- Deputeti Ben Blushi, i njohur për qëndrimet kritike ndaj mazhorancës dhe Partisë Socialiste, thotë se është kërcënuar.

Duke folur sot në seancën parlamentare, ai deklaroi se kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi i ka dërguar një mesazh kërcënues atij.

Blushi lexoi mesazhin duke publikuar edhe numrin nga i kishte ardhur, ndërsa citoi përmbajtjen e tij: “O Blush. Jam Elvis Roshi, nuk kam bërë asnjë krim, siç thatë ju, shumë shpejt do dalë për sqarim publiku. Por nuk të kam asnjë borxh ty, sa të kem qytetin e Kavajës që më mbështet… ka ca sharje këtu”.

Ai deklaroi se mesazhi i erdhi pasi një javë më parë e përmendi duke i kujtuar se si kishte mundësi që Roshi nuk e mbante mend që ishte dënuar në Gjermani, ndërsa shtoi se Kryeministri Edi Rama e argumentoi ndryshimin e emrit si probleme të zakonshme të emigrantëve.

“Çohu o frikacak”, ju drejtua Blushi, Kryeministrit, duke i kërkuar të sqarojë se si e kishte emrin kryebashkiaku i Kavajës, Elvis apo Ervin Roshi.

“Kush është ky Elvisi apo Ervini sepse ti shkon në fushatë dhe thua sa mirë që e ka ndërruar emrin ky Elvisi. Pati një problem si të gjithë emigrantët dhe ndërroi emrin. Unë e neveris këtë qenie.  Po të pyes ky si e ka emrin Elvis apo Ervin?”, tha Blushi duke ju drejtuar Kryeministrit./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd